Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar në rrjetet sociale duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka fyer qytetarët shqiptarë me gjuhën e përdorur së fundmi në një intervistë për Financial Times.
Sipas Këlliçit, Rama është ndër të paktët udhëheqës që përdor një gjuhë të tillë ndaj popullit të vet, duke e cilësuar këtë si tregues të gjendjes së tij politike dhe personale.
“Edi Rama ndoshta është i vetmi udhëheqës që ka përdorur atë fyerje ndaj popullit të tij, siç e tha në ‘Financial Times’. Edhe sunduesit brutalë e diktatorët xhelatë kanë qenë më të kujdesshëm e diplomatë dhe asnjëherë nuk i kanë thënë popullit të tyre: ‘Fuck You’,” shkruan Këlliçi.
Ai shton se përdorimi i kësaj gjuhe tregon, sipas tij, një gjendje të rënduar të kryeministrit.
“Lëshimi i gjuhës në këtë mënyrë është tregues i gjendjes së rënduar mendore të një Kryeministri që ka prekur fundin, ndërkohë që e dinte veten të paprekshëm dhe deklaronte se do të rrinte gjithë jetën në pushtet,” shprehet deputeti demokrat.
Këlliçi akuzon gjithashtu Ramën se është i përfshirë në afera korruptive dhe se qytetarët, sipas tij, e kanë kuptuar tashmë këtë gjë.
“Qytetarët e kanë provuar në lëkurë në 13 vite se ai është kumbari i çdo zullumi, padrejtësie e arbitrariteti në vend,” deklaron ai.
Në reagimin e tij, Këlliçi ndalet edhe te protestat që po zhvillohen prej javësh në Tiranë, duke i cilësuar ato si shprehje të revoltës qytetare ndaj qeverisë.
“Ka më shumë se tri javë që njerëzit janë ngritur masivisht, e kanë vrarë frikën, kanë pushtuar sheshet dhe i kanë dhënë fund një sundimi dhe një sunduesi të korruptuar e të lidhur me krimin,” shkruan ai.
Në fund, deputeti demokrat thekson se protestuesit nuk kanë nevojë të përdorin gjuhë fyese, pasi sipas tij veprimet e tyre flasin vetë.
“Të rinjtë, burrat e gratë, familjarët, profesionistët, pensionistët nuk kanë nevojë të fyejnë si ai. Ata në të vërtetë e kanë çuar në djall Edi Ramën me aksionin e tyre,” përfundon reagimin Këlliçi.
