Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj videove të publikuara nga Taulant Balla me emigrantë në mbështetje të qeverisë, duke i cilësuar ato si përpjekje propagandistike që nuk mund të zbehin pakënaqësinë qytetare dhe protestat që po zhvillohen kundër qeverisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zhupa u shpreh se shqiptarët nuk mashtrohen më nga propaganda dhe se protesta e diasporës në Tiranë, si edhe manifestimet e organizuara në qytete të ndryshme të botës, kanë treguar sipas saj forcën reale të reagimit qytetar.
“Ulërima e Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar, se pse deputetët nuk po e mbrojnë mjaftueshëm në rrjetet sociale dhe nuk po fitojnë ‘luftën me algoritmin’, duket se ka dhënë efektin e saj. Sot janë lëshuar të gjithë me video e statuse nga më të ndryshmet, edhe pse nuk ka algoritëm që i shpëton nga gjykimi i shqiptarëve”, shkruan Zhupa.
Ajo ndalet veçanërisht te videot e publikuara nga Taulant Balla, duke i cilësuar si një përpjekje të pasuksesshme për të relativizuar revoltën qytetare.
“Një nga përpjekjet më mediokre është publikimi i disa videove me emigrantë të lumtur me Ramën dhe kundër protestës. Ndërkohë, protesta madhështore e diasporës më 20 qershor në Tiranë, si edhe protestat e zhvilluara në qytetet kryesore të botës, treguan forcën reale të shqiptarëve kudo që jetojnë. Ato dëshmuan se pakënaqësia nuk është as e sajuar dhe as e izoluar, por një zë i gjerë qytetar që kërkon të dëgjohet”, vijon reagimi i saj.
Sipas Zhupës, pakënaqësia e qytetarëve nuk është e sajuar apo e izoluar, por përfaqëson një reagim të gjerë kundër qeverisë. Ajo shton se përpjekjet për të përçarë shqiptarët apo për t’i vendosur kundër njëri-tjetrit janë metoda të vjetra politike që nuk funksionojnë më.
Deputetja e PD-së thekson se protesta e vazhdueshme e qytetarëve ka dëshmuar se shqiptarët po bashkohen përtej ndasive politike, me synimin për të mbrojtur interesin publik dhe për të kërkuar llogaridhënie nga qeveria.
