
Shoqëria “Riviera Kakome” sh.p.k. ka reaguar pas ngjarjeve të ndodhura një ditë më parë në zonën e Kakomesë, duke i cilësuar ato si akte dhune ndaj pronës private dhe duke mohuar akuzat se qytetarëve u është ndaluar hyrja në plazh.
Përmes një deklarate publike, kompania ka bërë të ditur se dhjetëra persona, të pajisur me mjete të forta, kanë hyrë në territorin e saj dhe kanë shkaktuar dëme në portën hyrëse, rrethimin, kabinën e rojeve dhe objekte të tjera brenda pronës. Sipas saj, janë siguruar prova për incidentin dhe do ndiqen rrugët ligjore ndaj personave që konsiderohen përgjegjës.
Kompania ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet se është bllokuar aksesi drejt plazhit, duke sqaruar se kufizimet kanë të bëjnë vetëm me hyrjen në truallin privat të rrethuar, për të cilin disponon leje ndërtimi. Sipas deklaratës, rruga që të çon drejt plazhit ka mbetur e aksesueshme dhe përdorimi i tij nuk është penguar.
“Riviera Kakome” ka hedhur poshtë edhe pretendimet e banorëve të Nivicës për pronësinë mbi tokat në Kakome, duke theksuar se çështjet përkatëse janë trajtuar nga gjykatat dhe se pretendimet për këto prona janë rrëzuar. Sipas kompanisë, trualli ku po zhvillohet projekti nuk përfshihet në sipërfaqet e pretenduara nga kundërshtarët e investimit.
Në përfundim të reagimit, kompania u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të hetojnë incidentin dhe të identifikojnë autorët e dëmtimeve, duke argumentuar se sulmet ndaj pronës private dhe investimeve cenojnë sigurinë juridike, klimën e biznesit dhe perspektivën e zhvillimit turistik në zonë.