Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Rama ka ngarkuar Ballën për të organizuar antimiting, diaspora po e refuzon


Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka ngarkuar drejtuesin politik të PS-së, Taulant Balla, për të organizuar një antimiting me qëllim dëmtimin e protestës qytetare që po zhvillohet në Tiranë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se Balla ka nisur një fushatë telefonatash drejt shqiptarëve në diasporë për të siguruar pjesëmarrje në një kundërmanifestim të mundshëm, por sipas tij, është përballur vazhdimisht me refuzime.

“Taulant Balla e ka marrë me aq zell këtë detyrë sa është bërë qesharak dhe po tregohet sot si barcaletë kudo. Ai ka nisur një fushatë telefonatash në diasporë duke kërkuar pjesëmarrje në një anti miting që ka ndërmend të realizojë Edi Rama. Pas çdo komunikimi, ai merr refuzim”, shkruan Këlliçi.

Sipas deputetit demokrat, përveç përpjekjeve për të organizuar një kundërprotestë, ka tentativa edhe për të futur mes protestuesve parulla që, sipas tij, i shërbejnë interesave të kryeministrit dhe godasin opozitën.

“Edi Rama ka folur gjithë kohës për grupe e agjenda të infiltruara brenda marshuesve, por në fakt ai bën përpjekjet më të mëdha për të pasur aty njerëzit e tij dhe për të ndikuar tek protesta”, shprehet Këlliçi.

Ai thekson se protesta nuk mund të kontrollohet apo të drejtohet nga faktorë politikë, pasi sipas tij bëhet fjalë për një revoltë qytetare të gjerë, me pjesëmarrje të madhe të të rinjve.

“Kemi të bëjmë me një revoltë masive popullore, sidomos të rinisë. Sa më shumë të tentojë Edi Rama me veglat e tij militante të ndërhyjë, aq më shumë do lërë kockat”, deklaron Këlliçi.

Në përfundim, deputeti i PD-së e cilëson lëvizjen protestuese si një proces që, sipas tij, nuk mund të ndalet apo të kanalizohet nga pushteti.