Vendosni fjalën kyçe....

Gjithë bota gabon, vetëm Edi ynë ndriçon


Ng Adrian Thano

“Shqipëria u bë zogu, n u gjendëm në mes të kësaj…” – tha dje kryeministri në një përpjekje komike për ta parë veten në një “skenë” ku po përplasen stuhitë globale.

Ligjërimi i tij para deputetëve, pak orë nga protesta, ofroi një tjetër leksion të pastër si evitohet përgjegjësia. Në vend të llogaridhënies, preferoi sërish strehën komode të viktimizimit. Fajin këtë herë e ka një si bashkim i madh faktorësh globalë.

Nuk arrin kryeministri i shqiptarëve të shohë në protestën masive ndonjë shqetësim legjitim shqiptar. Kjo qenka një luftë e madhe ideologjike ku Shqipëria është si biçim kolaterali.

​“Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjie që nuk ka lindur në Shqipëri…” – janë fjalët e Edit. Dhe pak më tej: ​“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij…”

Për Edin, ky mobilizim i jashtëzakonshëm paska ardhur nga ‘urrejtja globale’ ndaj Trumpit, nga rrjeti social, algoritmi global, grekët, iranianët, mediat ndërkombëtare, injoranca e njerëzve, shkrirja e akullnajave.

I vetmi që nuk ka si të jetë shkak, është Edi vetë, kjo viktimë e madhe rrethanash e kohëve moderne. Në botën e tij, çdo kritikë, vendase apo e huaj, është detyrimisht ‘e verbër’, ’emocionale’ dhe e nxitur nga mllefi. Një xhelozi botërore, e projektuar posaçërisht ndaj Edit tonë.

Ndaj në vend të qëndrimeve zyrtare, që i ka detyrim ligjor, ‘i pagabueshmi’ bën sociologun dhe psikiatrin. Sulmon gjendjen mendore dhe emocionale të protestuesve, pastaj përdor të shkuarën si kontrast për t’u treguar kush është i miri këtu.

​“Të ishte për botën, Narta mund të kthehej qetësisht 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin drejt lagunës së saj, se i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë..” – janë fjalët e tij.

Logjikë gjeniale. Medemek, meqë disa gjahtarë vrisnin flamingo para dhjetë viteve, ne sot nuk kemi më asnjë të drejtë t’i kërkojmë kryeministër Edit llogari për betonizimin e një zone të mbrojtur, për projektet që gllabërojnë natyrën, për fatin e vetë lagunës, për kriminalizimin e gjithë shoqërisë nga droga dhe korrupsioni.

Kundërshtarët e këtij “modeli”? “Analfabetë që udhëhiqen nga histeria e rrjeteve sociale”, “romantikë naivë”,  “bullistë online”, “fashistë”, “hajvanë”, sipas Edit që në fund, bën edhe bashkimin e madh të “armiqve”:

“Bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë… I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim…”

Nuk e ka me Lulzim Bashën. Po i tregon popullit protestues organin gjenital.

​Përgjigjen e mori pa ekuivok mbrëmjen e kësaj të shtune. Pjesëmarrja e pashoqe në bulevard është përplasja më e ashpër e realitetit me përrallat e tij për flamingot globale.

Mijëra protestues që mbushën sheshin nuk janë hije virtuale, nuk janë profile false apo robotë të fabrikuar. Janë njerëz prej mishi e gjaku. Po i dëshmojnë “të pagabueshmit” se llogaridhënia shtetërore nuk shmanget më me truke gjuhësore apo ligjërime prej filozofi të rremë.

Mund t’i etiketosh “hajvanë” e “fashistë” sa të duash nga kolltuku i rehatshëm i pushtetit, por ata njerëz nuk zbritën në rrugë nga marazi për Trump-in apo  udhëzimet e “Lulit”.

Zbritën si prindër të shqetësuar, si pronarë të grabitur, si qytetarë që refuzojnë të pranojnë edhe më tej teatrin e pështirë të një klase politike që ka katër dekada që shtiret si rivale ditën, duke ndarë ortakërinë e grabitjes së parasë publike, natën.

​Përballë këtij deti njerëzish, petkat e kuruara të Edit dhe Saliut duken më të ngushta e më qesharake se kurrë. Sheshi ua zhveshi përfundimisht kallajin, edhe ironisë bajate të njërit, edhe pozës prej shpëtimtari të tjetrit, që me atë shesh ka ende të hapur llogarinë e pashlyer të vrasjeve.

Nga sonte, të dy do udhëhiqen vetëm nga një ndjenjë. Ajo më fillestarja, më primitivja. Dhe më njerëzorja sigurisht: Frika përballë të vërtetës.

As njëri, as tjetri, as të dy bashkë, nuk e kontrollojnë, nuk e paketojnë dhe nuk e manipulojnë dot më.

VINI RE: Ky material wshtw pronwsi intelektuale e Gazeta Dita