
Një grua humbi jetën dhe gati 1,700 turistë u evakuuan për shkak të një zjarri të madh në një hotel në resortin bregdetar Bayahibe në Republikën Dominikane, njoftuan autoritetet lokale të premten.
Francesca Valentino, një grua italiane 46-vjeçare, humbi jetën në zjarrin që përfshiu hotelin Viva Wyndham Dominicus Beach, sipas një deklarate të shërbimit të emergjencës DAEH.
Video të shpërndara nga mediat lokale treguan re të dendura tymi të zi që ngriheshin mbi vijën bregdetare të Karaibeve, ndërsa flakët përfshinin çatinë prej kashte të resortit.
“Vëzhgimet paraprake tregojnë se zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të natyrës së ndezshme të disa pjesëve të strukturave të çatisë, të ndërtuara me gjethe palme, si edhe për shkak të kushteve të erës”, tha Qendra e Operacioneve të Emergjencës (COE) e vendit.
Kompania Wyndham Hotels and Resorts, e cila jep licenca për rreth 8,400 hotele në mbarë botën, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Zjarri u vu nën kontroll, por shkaqet e tij janë ende nën hetim, tha qendra e operacioneve. Mysafirët u transferuan në hotele të tjera aty pranë. Hoteli Viva Wyndham Dominicus Palace, pjesë e së njëjtës zinxhir hotelesh, nuk pësoi dëme, shkruan Reuters.
“Aktivitetet turistike në Bayahibe dhe zonat përreth mbeten të paprekura dhe vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të sigurt dhe normale”, shtoi COE.
E njohur për ujërat e kristalta dhe plazhet me rërë të bardhë, Republika Dominikane është destinacioni turistik më i madh në Karaibe, duke pritur rreth 5.6 milionë vizitorë gjatë pesë muajve të parë të këtij viti.