Vendosni fjalën kyçe....

Seanca për Veliajn shtyhet për më 3 korrik, kryebashkiaku: Pas 500 ditësh, Olsi Dado nuk denjon të vijë


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar akuzat ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën Administrative, ku po shqyrtohet padia e tij kundër magjistratit.

Në fjalën e mbajtur para trupës gjykuese, Veliaj kritikoi ashpër mungesën e prokurorit në seancë, duke deklaruar se prej 500 ditësh ndodhet i pezulluar nga detyra nga një person që ai e cilësoi si “noter me pesa”.

“Po të isha në vendin tuaj, do të isha i shqetësuar që përfaqësuesja e KLP-së gënjeu hapur. Minimalisht duhet t’u tërhiqni vëmendjen institucioneve shtetërore. Kemi arritur në ditën kur përfaqësuesja e një institucioni të lartë të drejtësisë gënjen hapur. Për diplomën me pesa të të akuzuarit, unë jam sot 500 ditë larguar nga detyra nga një noter me pesa,” deklaroi Veliaj.

Ai tha se nuk kërkon mëshirë personale, por ngriti shqetësime për mënyrën se si, sipas tij, po funksionon drejtësia.

“Nuk po flas më për veten time, sepse nuk kërkoj mëshirë nga askush. Unë edhe në maternitet do të shkoj me polic. Pas 500 ditësh, Olsi Dado nuk denjon të vijë. Ju e dini që ai e ka marrë shkollën me pesa. Nuk ka asnjë dosje. Është qokë,” u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj ngriti gjithashtu pyetje mbi drejtimin e Bashkisë së Tiranës gjatë periudhës së pezullimit të tij, duke theksuar se qyteti po administrohet nga persona që nuk janë zgjedhur me votë.

“Kush i pastron plehrat? Janë bërë mullar, aq sa shoh nga dritaret e autobusit. Kush i ndërton kopshtet? Sot Tirana po drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar askush,” tha ai.

Në përfundim, Veliaj kërkoi që procesi gjyqësor të zhvillohet me standarde të plota dhe të garantohet, sipas tij, mbrojtja ligjore për çdo qytetar.

“Askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen minimale që të jep ligji,” përfundoi ai.

Ndërkohë, Gjykata Administrative vendosi të shtyjë shqyrtimin e çështjes për një datë tjetër. Sipas vendimit të trupës gjykuese, seanca e radhës mes Erion Veliajt dhe prokurorit Ols Dado do të mbahet më 3 korrik 2026, në orën 13:00.

Shtyrja vjen pas debateve të forta të zhvilluara gjatë seancës së sotme, ku palët u përplasën edhe për mënyrën e pasqyrimit mediatik të procesit gjyqësor.