Vendosni fjalën kyçe....

Kallas i përgjigjet Izraelit pas përplasjes me ministrin e Jashtëm: Dialogu mbetet thelbësor


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, reagoi pasi ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, deklaroi se do të ndërpresë të gjitha kontaktet me të për shkak të raportimeve se ajo kishte krahasuar Izraelin me regjimin e aparteidit në Afrikën e Jugut.

Polemika shpërtheu pas një vizite të Kallas në Meksikë gjatë muajit maj, ku sipas mediave izraelite ajo dyshohet se ka bërë komente kritike ndaj politikave izraelite.

Sa’ar pretendoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë mohim apo sqarim nga Kallas lidhur me këto deklarata dhe e cilësoi krahasimin e pretenduar si “shpifje të rëndë” ndaj shtetit izraelit.

Nuk kam zgjidhje tjetër veçse të ndërpres çdo kontakt me zonjën Kallas derisa ajo të tërheqë deklaratat e saj”, shkroi Sa’ar në rrjetet sociale.

Në reagimin e saj publik, Kallas shmangu referimin e drejtpërdrejtë ndaj akuzave, por theksoi se Bashkimi Europian mbetet i përkushtuar ndaj një marrëdhënieje konstruktive me Izraelin, përcjell Euronews.

“Vlerësoj dialogun dhe angazhimin me Izraelin. Bashkimi Europian mbetet i përkushtuar për një marrëdhënie konstruktive dhe për paqen në rajon”, deklaroi ajo.

Megjithatë, ministri izraelit reagoi sërish, duke e akuzuar Kallas se po shmang një përgjigje të qartë.

“Edhe në deklaratën tuaj po shmangni mohimin ose dënimin e asaj që ju atribuohet. Nëse i keni thënë ato fjalë, qëndroni pas tyre. Nëse jo, mohojini”, shkroi Sa’ar.

Në postimin e saj, Kallas ritheksoi qëndrimin e Bashkimit Europian se zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme për arritjen e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Ajo theksoi gjithashtu se BE-ja vazhdon të kundërshtojë zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, duke argumentuar se këto zhvillime e bëjnë gjithnjë e më të vështirë realizimin e zgjidhjes me dy shtete.

Përplasja mes Kallas dhe Sa’ar vjen në një kohë tensionesh të larta diplomatike lidhur me luftën në Gaza dhe debatet ndërkombëtare mbi të ardhmen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.