
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berisha, duke kundërshtuar pretendimin se ai përfaqëson kërkesat e protestuesve.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla u shpreh se Berisha është personi i fundit që mund të flasë në emër të protestuesve, ndërsa e sfidoi që të marrë pjesë në protestën e paralajmëruar.
Sipas Ballës, një nga kërkesat e protestuesve është që Berisha të përballet me drejtësinë, duke kujtuar se ai vetë ka bërë një kallëzim ndaj ish-kryeministrit.
“I fundit në sallë që mund të flasë në emër të protestuesve është ky pelikani këtu (Berisha). Sali Berisha unë të sfidoj, sot pasdite shko në protestë.
Shkon dot? Provoje po ta mbajti. Personalisht nga ana e protestuesve e meritoj një falenderim pasi kam kontribuar në një prej kërkesave të tyre.
Ata thonë “Berisha në burg”, unë e kam bërë një kallëzim për ty.
Ditën e parë të protestës i quajte sikur i kishim thirrur ne, ditën e 2 dole kundër tyre, sot del zotrote si përfaqësues i protestës.
Në Bruksel pashë disa që tha jemi këtu t’ju sjellim kërkesat e protestuesve. Kush ju ka mandatuar. I fundit që mund të bësh ndërmjetësuesin me të rinjtë je ti.”, tha Balla.
Gjithashtu edhe deputeti Flamur Noka ka replikuar nga vendi me Taulant Ballën, duke e akuzuar dhe kritikuar këtë fundit dhe se duhet të mbajë përgjegjësi.
Noka reagoi me akuza të ashpra në sallën e Kuvendit ndaj Taulant Ballës, gjatë një debati që po zhvillonte me kreun e PD për protestat.
Noka dëgjohet teksa i drejtohet Ballës me frazat “Në të s*mës do shkosh, je vrasës, trafikant”.