Vendosni fjalën kyçe....

Rama për çështjen e Zvërnecit: Hetimet nuk rrezikojnë investimin, toka është në pronësi të blerësve


Kryeministri Edi Rama në një lidhje direkte për emsionin “Shqipëria Live” deklaroi se hetimet e SPAK-ut ndaj personave të përfshirë në shitblerjet e tokave në Zvërnec nuk ndikojnë në ecurinë e investimit të planifikuar në zonë, pasi sipas tij prona aktualisht është në pronësi të personave që e kanë blerë.

Duke komentuar edhe fletë-arrestin ndaj Artur Shehut dhe hetimet për pronat në Zvërnec, Rama tha se çështja e investimit dhe procesi penal janë dy çështje të ndara.

“Këto nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Toka nuk është më e askujt, përveç atyre që e kanë blerë. Hetimet për persona që janë shitës të tokës janë hetime që vazhdojnë dhe SPAK bën rrugën e vet. Sot që flasim, prona është e pronarëve që e kanë blerë nga këta shitës. Ajo pronë është jashtë çdo investigimi”, u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, procesi gjyqësor mund t’u japë të drejtë personave që pretendojnë pronësinë e tokës, por kjo nuk prek investimin.

“Kjo është një gjë shumë e mirë dhe një lajm shumë i mirë për ata që pretendojnë se prona është e tyre. Ata do ta provojnë në gjykatë nëse toka është e tyre dhe lekët do t’i marrin ata, jo ai që ka bërë shitjen”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë theksoi se nga pikëpamja ligjore projekti nuk përballet me asnjë rrezik, ndërsa pranoi se reagimet kundërshtuese mund të ndikojnë vetëm në perceptimin e investitorëve.

“Në pikëpamjen ligjore, investimi nuk rrezikon asgjë. Në pikëpamjen se si investitorët mund të ndihen nga një qasje jomikpritëse ndaj investimit, kjo është një çështje e tyre. Vlora e do këtë investim”, tha Rama.

Ai e cilësoi të paarsyeshme refuzimin e një investimi prej 4 miliardë eurosh, duke argumentuar se bëhet fjalë për një projekt me ndikim të rëndësishëm ekonomik për vendin.

Kryeministri hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se transaksionet e pronave mund të jenë kryer pa dokumentacion të rregullt, duke theksuar se në Shqipëri nuk mund të realizohen shitblerje pa certifikata pronësie dhe pa verifikimet përkatëse noteriale e ligjore.

Rama sqaroi se projekti ndodhet ende në fazat paraprake dhe se deri më tani nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi.

“Ne jemi në një proces dhe nuk ka një leje ndërtimi, as nuk ka pasur ndonjëherë. Ka pasur vetëm leje zhvillimi, që është një miratim paraprak i konceptit”, tha ai.