
Ish-ministrja e Jashtme dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, ka refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar në sheshin “Italia” me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.
Në një reagim publik, Dade doli hapur kundër organizimit që ajo e cilësoi si një “antimiting”, duke kritikuar ashpër zhvillimet brenda PS-së dhe drejtimin aktual të partisë.
Sipas saj, socialistët e vërtetë nuk gjenden në aktivitetet e organizuara nga strukturat e pushtetit, por në sheshin ku prej 13 ditësh po zhvillohen protesta qytetare.
“Sot, socialistët e vërtetë, ata që u rritën me idealet e drejtësisë shoqërore, nuk gjenden në antimitingun e thirrur ‘nga lart’. Ata janë aty ku ka qenë gjithmonë shpirti i të majtës, në sheshin ku prej 13 ditësh rinia po proteston për dinjitet”, shprehet Dade.
Ajo thekson se Partia Socialiste ka lindur si një forcë e ndryshimit dhe jo si parti e kundërprotestave të organizuara me administratë dhe presion.
Në deklaratën e saj, ish-ministrja akuzon drejtimin aktual të PS-së për tjetërsimin e vlerave të partisë, ndërsa flet për korrupsion, klientelizëm dhe arrogancë pushteti.
“Tragjedi është se ai sistem që luftuam nuk u shkatërrua. Ai u betonua nga ai që sot ka zaptuar kreun e PS-së. Refuzimi im i sotëm është ndaj antimitingjeve të korrupsionit dhe fasadës, që i përkulen vetëm parasë dhe pushtetit”, deklaron ajo.
Dade argumenton se protesta e të rinjve nuk është kundër së majtës, por përfaqëson kërkesa sociale dhe ideale që tradicionalisht i përkasin së majtës politike.
“Mbi të gjitha, kjo protestë nuk është kundër së majtës. Përkundrazi, ajo ka kërkesa thellësisht të majta dhe sociale, kërkesa për barazi, për mundësi dhe për mbrojtjen e atyre që kjo qeverisje i ka lënë pas dore”, shkruan ajo.
Ish-deputetja shpreh zhgënjim edhe ndaj figurave të njohura të PS-së që, sipas saj, kanë zgjedhur të marrin pjesë në aktivitetin e organizuar nga partia, duke i akuzuar se kanë braktisur parimet për interesa personale.
Në fund të reagimit, Dade bën thirrje për një ringritje të së majtës shqiptare mbi bazën e idealeve të saj themeluese.
“Shqipëria ka sot nevojë për një të majtë të rilindur mbi idealet e saj fillestare. Ka nevojë për një organizatë politike me moral, me integritet dhe me sytë nga populli, jo nga xhepat. Ora e këtij rikthimi ka trokitur”, përfundon deklarata e saj.