Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet call center i dyshuar për mashtrim kompjuterik, arrestohen 4 persona dhe procedohen 49 punonjës në Tiranë



Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Hold on”, duke goditur një rast të dyshuar mashtrimi kompjuterik të organizuar në formën e një call center-i në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar, ambienti i përshtatur si call center ndodhej në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku dyshohet se zhvillohej aktivitet i paligjshëm përmes skemave të mashtrimit online.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë katër persona të dyshuar si organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie: Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Eljo Dyrmishi dhe Marjo Myftari.

Po ashtu, 49 punonjës të tjerë u konstatuan në ambientet e punës dhe ndaj tyre ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 94 kompjuterë, 11 telefona celularë, 2 iPad dhe dhjetëra pajisje të tjera elektronike, të cilat do t’i shërbejnë hetimeve për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Sipas Policisë së Shtetit, operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe ata të Krimeve Kibernetike të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të mashtrimit kompjuterik, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet.