Vendosni fjalën kyçe....

3 marinarë indianë humbin jetën pas sulmit amerikan ndaj një cisternë nafte në Gjirin e Omanit


Tre marinarë indianë kanë humbur jetën pasi ushtria amerikane goditi një cisternë nafte në Gjirin e Omanit, të cilën Uashingtoni e akuzon se kishte shkelur bllokadën ndaj porteve iraniane.

Ngjarja ka shkaktuar reagim të fortë nga India, e cila i ka kërkuar SHBA-së të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare.

Anija “MT Settebello”, me 24 marinarë indianë në bord, u godit të mërkurën. Autoritetet indiane konfirmuan se 21 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan, ndërsa tre të tjerë humbën jetën. Viktimat janë identifikuar si Aditya Sharma, praktikant detar, Shivanand Chaurashiya, teknik mekanik, dhe Patnala Suresh, inxhinier i lartë.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi se një avion amerikan goditi me municione precize dhomën e motorëve të cisternës pasi ekuipazhi, sipas saj, nuk iu bind urdhrave të forcave amerikane. Uashingtoni pretendon se anija po transportonte naftë iraniane në kundërshtim me bllokadën e vendosur ndaj Teheranit.

Qeveria indiane reagoi menjëherë, duke thirrur në Ministrinë e Jashtme të ngarkuarin me punë të SHBA-së në Nju Delhi dhe duke shprehur “shqetësimin më të thellë” për sulmet e vazhdueshme ndaj anijeve me ekuipazhe indiane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Indisë deklaroi se sulme të tilla duhet të marrin fund dhe bëri thirrje për dialog dhe diplomaci për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës në rajon.

Sipas autoriteteve indiane, kjo është anija e tretë me ekuipazh indian që goditet nga forcat amerikane gjatë kësaj jave në Gjirin e Omanit. Më herët, cisterna “Marivex” dhe anija “Jalveer” u përfshinë në incidente të ngjashme, por pa viktima.

Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit dhe vetëm pak ditë përpara një takimi të pritshëm mes Presidentit Donald Trump dhe Kryeministrit indian Narendra Modi në samitin e G7.