Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet seanca në GJKKO për Erion Veliajn, mungesa e avokatëve pezullon procesin



Ka dështuar të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 18 të bashkëpandehurve të tjerë në Gjykatën e Posaçme.

Seanca e sotme është shtyrë për shkak të mungesës së një pjese të avokatëve mbrojtës të të pandehurve, çka ka sjellë ndërprerjen e procesit gjyqësor. Në këto kushte, gjykata ka vendosur gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn.

Gjatë seancës, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, ka ngritur pretendimin se mbrojtjes nuk i janë vënë në dispozicion 24 fashikuj të dosjes hetimore.

Sipas gjykatës, fashikujt e munguar lidhen me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë në këtë çështje voluminoze dhe nuk përbëjnë pengesë thelbësore për zhvillimin e procesit në këtë fazë. Trupa gjykuese theksoi se deri tani nuk është cenuar e drejta e mbrojtjes së Veliajt.

Megjithatë, për të garantuar një proces të rregullt dhe transparencë të plotë, gjykata vendosi që fashikujt e kërkuar t’i vihen zyrtarisht në dispozicion mbrojtjes përpara seancës së radhës, e cila pritet të caktohet në vijim.