Vendosni fjalën kyçe....

Diaspora shqiptare proteston në Londër kundër projektit në Zvërnec: “Shqipëria nuk është në shitje”


Protestat kundër projektit të diskutueshëm në Zvërnec kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, teksa dhjetëra shqiptarë të diasporës janë mbledhur në Londër për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj lëvizjes qytetare që prej tetë ditësh po proteston në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, protestuesit shihen të mbledhur me flamuj kombëtarë kuqezi, kapele të kuqe dhe një pankartë të madhe me mbishkrimin: “Shqipëria nuk është në shitje”.

Tubimi u zhvillua si shenjë solidariteti me protestuesit në Shqipëri, të cilët kundërshtojnë projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit dhe kërkojnë më shumë transparencë mbi investimin, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe respektimin e interesit publik.

Protesta në Londër vjen në një moment kur kundërshtimet ndaj projektit kanë hyrë në ditën e tetë radhazi në Shqipëri, ndërsa organizatorët e lëvizjes qytetare kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimeve edhe në ditët në vijim.