
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur deklaratave të Sali Berishës lidhur me aktivitetin e planifikuar në Vlorë, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për “antimiting”, por për shënimin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.
Balla theksoi se Berisha nuk mund të jetë pjesë e këtij aktiviteti, ndërsa iu përgjigj edhe akuzave për presion ndaj administratës, duke i hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga opozita.
“Ju nuk mund të jeni i ftuar në ditëlindjen e PS as në Vlorë. Ju kemi mundur 15 herë. Me Edi Ramën ju kemi mundur 8 herë rresht. Do t’ju mundim edhe në 2029, ndaj diversionin tënd se kemi ne antimiting, ne kemi një ditëlindje”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se qyteti i Vlorës, sipas tij, mbetet një nga bastionet e Partisë Socialiste dhe se qytetarët e tij e mbështesin këtë forcë politike.
Duke u ndalur te projekti i planifikuar në zonën e Zvërnecit, Balla theksoi se ai do të realizohet, duke e cilësuar si një investim strategjik për turizmin në vend.
“Sa i përket investimit në Zvërnec, ai do të realizohet pasi Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë këtë investim. Është investim strategjik, do ta vendosë Shqipërinë në ligën e kampionëve të turizmit. Ata që dalin kundër investimit janë kundër Shqipërisë”, deklaroi ai.
Gjatë deklaratës së tij, Balla pati edhe replika të drejtpërdrejta ndaj opozitës gjatë debatit politik, duke vijuar me ton të ashpër politik në përgjigjet e tij.