
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, akuzoi qeverinë se po synon ta kthejë Muzeun Kombëtar në një hapësirë parkimi, gjatë interpelancës me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja, në Kuvend.
Në fjalën e saj, Zhupa e cilësoi projektin si “antishqiptar”, duke deklaruar se po rrezikohet një pasuri kombëtare dhe një atraksion turistik me rëndësi për vendin.
“Jeni antishqiptar kur doni të shkatërroni pasurinë e shqiptarëve. Doni që të bëni një parkim Muzeun Kombëtar. Doni të jepni këtë hapësirë, që është atraksion turistik për të gjithë ministrat”, u shpreh Zhupa.
Nga ana tjetër, ministri Blendi Gonxhja deklaroi se projekti ndodhet ende në fazat fillestare dhe se nuk ka kaluar në asnjë etapë përfundimtare. Ai theksoi se procedurat po ndiqen sipas standardeve ndërkombëtare dhe se prioritet mbetet ruajtja e institucioneve muzeale.
“Në zbatim të VKM-së që citoi parafolësja, ministria i është referuar procedurave ndërkombëtare edhe për hapësira të tilla, si në rastin e Romës, Krakovit apo Luvrit. Kërkesa e parë u paraqit nga vetë Akademia e Shkencave. MTKS ka sugjeruar që projektimi të sigurojë kushtet e ruajtjes. Trajtimi i institucioneve muzeale mbetet primar. Nuk ka banalizim, por më shumë gjenerim të turizmit. Projekti është paraprak dhe nuk janë zhvilluar ende dëgjesat publike”, deklaroi Gonxhja.
Pas kësaj përgjigjeje, Zhupa ironizoi përfshirjen e Akademisë së Shkencave dhe kreut të saj, Skënder Gjinushi, në projekt.
“Kur thua se ma ka thënë Skënder Gjinushi, ky është fundi. Kush do e ndërtojë? Fondi Shqiptar i vjedhjeve. Ai njihet si Fondi shqiptar i vjedhjeve. Nuk ka ndodhur kurrë që të mos bëjë një projekt pa e vjedhur. Do i jepni muzeun Arkeologji shqiptar!”, deklaroi deputetja demokrate.