
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës së “arrestit me burg” me “arrest shtëpie”.
Vendimi u shpall nga gjyqtarja Saida Dollani, duke mos pranuar ankimin e paraqitur nga Meta. Ky i fundit kishte ofruar edhe garanci pasurore prej 50 mijë eurosh.
NJOFTIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 04.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 120 akti, datë 22.04.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit I.M: “Ankim kundër vendimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit personal të arrestit në burg, në një masë tjetër: arrest në shtëpi, garanci pasurore, detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ose ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe vendosi: – Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri I.M., nëpërmjet mbrojtësit av. Kujtim Cakrani, ndaj disponimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. – Ky vendim t’i njoftohet palëve. – Ndaj këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë. Tiranë, më 04.05.2026.