
Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori ka denoncuar ligjin e ri për partitë politike, të cilin e quan pjellën e parë të ujdisë Rama-Berisha.
Sipas tij, ligji nuk adreson realisht problemin e financimeve të paligjshme, pasi edhe pse vendos një tavan formal për donacionet, ai mund të anashkalohet lehtësisht përmes pagesës së gjobave, të cilat konsiderohen të papërfillshme për aktorë me burime të mëdha financiare.
Ai theksoi se partitë e financuara nga oligarkë apo struktura kriminale nuk dekurajohen nga penalitetet aktuale, duke qenë se përfitimet nga këto financime janë shumë më të mëdha se kostot e gjobave. Një tjetër shqetësim kryesor është mungesa e përgjegjësisë penale për drejtuesit e partive dhe zyrtarët e tyre, të cilët, sipas kritikës, nuk përballen me pasoja serioze ligjore në rast shkeljesh.
“Ka ardhur në jetë pjella e parë e ujdisë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ligji për financimin e partive politike. Lëvizja Bashkë prej vitesh ka kërkuar miratimin e një ligji të tillë, për të mundësuar dy gjëra themelore. E para, që asnjë qytetar apo asnjë firmë të mos financojë një parti politike mbi një tavan të caktuar vjetor dhe e dyta, kryetarët e partive dhe zyrtarët e tjerë të partive të kenë përgjegjësi penale, pra të rrezikojnë burgun nëse financohen në mënyra të paligjshme. Ajo për të cilën kanë rënë dakord Berisha me Ramën është të bëjnë një vrimë në ujë, sepse pavarësisht se është vënë një tavan formal për financimet e qytetarëve dhe firmave, ky tavan mund të shkelet shumë lehtë në rast se gjysma e parasë së lejuar për të financuar paguhet si gjobë.
Problemi që ne kemi edhe me Kodin Zgjedhor është se partitë politike që financohen nga oligarkët, nga krimi i organizuar, nuk duan t’ia dinë fare për gjoba, sepse ai që pastron paratë, apo blen parti politike duke i dhënë miliona e miliona euro nuk e ka për gjë të paguajë 1 milion lekë gjobë në vit për një financim të tillë. E dyta, kryetarët e partive dhe zyrtarët nuk kanë as minimumin e përgjegjësisë penale në rast se zgjedhin t’i financojnë partitë e tyre në mënyrë të paligjshme. Demokracia shqiptare lëngon nga shumë faktorë, mirëpo faktori kryesor është financimi i pisët i partive nga organizatat kriminale, nga oligarkët, nga njerëzit e hurit dhe litarit. Ne kërkojmë një ligj të vërtetë të financimit të partive politike ku kryetarët e partive dhe zyrtarët e tjertë të partive, si në vendet e përparuara, të rrezikojnë burgun nëse marrin para në mënyrë të paligjshme nga oligarkë, kriminelë apo njerëz që përpiqen t’i komprometojnë dhe t’i blejnë partitë politike duke e përmbytur jetën politike me para të madhe.”