Vendosni fjalën kyçe....

Salianji – Berishës: Dil dhe përballu me garën, jepu mundësi demokratëve të zgjedhin drejtuesin e ri



Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ka bërë thirrje kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që të përballet në një garë të hapur për drejtimin e partisë.

Gjatë një takimi me demokratë në Kukës, Salianji theksoi se është e nevojshme që drejtuesit aktualë të japin mundësi për një proces të lirë dhe konkurrues brenda partisë. “Kam një thirrje të sinqertë, për drejtuesit por dhe për Berishën, dil dhe përballu me garën. Jepi mundësi demokratëve që të zgjedhin drejtuesin e ri. Dil dhe ballafaqohu me demokratët”, u shpreh ai.

Salianji shtoi se ndryshimi brenda Partisë Demokratike është i domosdoshëm për të përballuar kundërshtarët politikë. “Shqiptarë kanë kuptuar një gjë, që të mundet autokrati i qeverisë, duhet të mundet ai i partisë. Ia kemi borxh demokratëve që të bëjmë PD fituese”, deklaroi ai.

Ai akuzoi gjithashtu qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për korrupsion, duke ngritur pikëpyetje mbi lidhjet me aktorë të tjerë. “Me kë i bën korrupsionet Rama, i bën vetëm? Pse s’i përmend PD ata emra oligarkësh? Kush i shërben Ramës, duhet të dalin në tabelën e turpit”, tha Salianji.

Në përfundim, ai theksoi se bashkimi i “njerëzve të lirë” është i domosdoshëm për të përballuar, sipas tij, “autokratët” në politikë.