Vendosni fjalën kyçe....

Çifti australian hedh gabimisht unazat me diamant në plehra, kërkojnë në 30 tonë mbeturina për t’i gjetur


Një çift australian është detyruar të gërmojë në një mal me mbeturina, për të gjetur unazat me diamant të martesës e fejesës së tyre që i kishin humbur. CNN shkruan se çifti i cili nuk ka pranuar të bëjë publik identitetin e tyre, kanë qenë duke rinovuar shtëpinë e tyre në Melburn.

Zëdhënësi i Këshillit të Qytetit Stonnington, Jim Carden tha se ata hodhën një ngarkesë mbeturinash në qendrën e grumbullimit në Stonnington të shtunën, kur më vonë kuptuan se padashur kishin futur aty dhe një kuti të vogël bizhuterish ku mbanin unazat e fejesës dhe martesës.

Ata kërkuan ndihmë në qendrën e mbledhjes së mbeturinave, por ajo po mbyllej dhe atyre iu kërkua që të ktheheshin herët ditën tjetër.

Burrë dhe grua u kthyen në orën 4 të mëngjesit “pas një nate pa gjumë”, për të kërkuar nëpër pirgjet me mbeturina. Atyre iu erdhën në ndihmë edhe punonjësit e këshillit të qytetit, të cilët hapën kamionin që përmbante 30 ton plehra – kuti kartoni, mobilje të thyera dhe mbeturina.

Në fund ata arritën të gjenin kutinë ngjyrë rozë që mbante brenda unazat. Carden tha se kjo ishte “pak magji Krishtëlindjesh” dhe falenderoi punonjësit për ndihmën e ofruar.

“Ne jemi të kënaqur që kemi ruajtur disa kujtime dhe mesa kemi kuptuar ishin gjëra me shumë vlerë, si nga ana financiare ashtu edhe nga ana sentimentale”- tha Carden, i cili paralajmëroi se ky ishte një rast i pazakontë dhe se këshilli nuk mund të hapë tonelatat me materiale të rrezikshme, vetëm pse njerëzit mendojnë se mund të kenë harruar ndonjë gjë me vlerë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *