Vendosni fjalën kyçe....

Seancë plenare në Kuvend, interpelanca me Ramën dhe Koçiun në fokus



Sot zhvillohet seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku në rendin e ditës janë parashikuar disa interpelanca dhe shqyrtimi i një sërë projektligjesh.

Në qendër të seancës pritet të jenë interpelancat me Kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Albana Koçiu, të kërkuara nga deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

Po ashtu, në rendin e ditës janë përfshirë interpelanca të kërkuara nga deputetë të Partisë Demokratike me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, si dhe me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Seanca zhvillohet në mbështetje të urdhrit nr. 25, datë 14 prill 2026, të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Projektligjet në rend dite

Deputetët do të shqyrtojnë edhe disa projektligje të rëndësishme, mes tyre:

  • Ratifikimi i protokollit shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kuadër të marrëveshjes CEFTA
  • Marrëveshja për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të vendit pas tërmetit të vitit 2019
  • Marrëveshja me Gjermaninë për bashkëpunimin teknik në projektin “Green Vjosa”, që synon zhvillimin e qëndrueshëm në zonën e Parkut Kombëtar të Vjosës
  • Aderimi i Shqipërisë në marrëveshjen për zbatimin e dispozitave të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, në lidhje me menaxhimin e burimeve peshkore
  • Ndryshime në ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”

Në rendin e ditës përfshihet gjithashtu zgjedhja e Kryetarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, si dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.