Vendosni fjalën kyçe....

Dy të penduar për dosjen e kokainës në Frakull, pritet të zbërthejnë rrjetin kriminal



Dy persona janë bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë në lidhje me dosjen e kokainës së zbuluar në Frakull, një nga rastet më të bujshme të trafikut ndërkombëtar të drogës në Shqipëri.

Sipas informacioneve, dy të penduarit janë persona të dënuar më herët, ku njëri ka shtetësi shqiptare dhe tjetri është i huaj. Ata pritet të japin dëshmi të detajuara mbi aktivitetin kriminal dhe personat e përfshirë në këtë rrjet.

Hetuesit po verifikojnë deklarimet e tyre, ndërsa pritet që dëshmitë të çojnë në identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të implikuar.

Çështja lidhet me një sasi prej 485.5 kilogramësh kokainë, e përzier me pleh kimik, e cila u zbulua më 24 nëntor 2022 në banesën e ish-kryetarit të ish-komunës Frakull, Viktor Çervanaku, në Fier. Banesa ishte përshtatur si laborator për përpunimin e drogës.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nëse droga do të hidhej në treg, do të siguronte një përfitim prej rreth 40 milionë eurosh.

Hetimet kanë zbuluar se kokaina ishte trafikuar nga Kolumbia, përmes Portit të Pireut në Greqi dhe më pas drejt Portit të Barit në Mal të Zi, për t’u futur më pas në Shqipëri me rrugë tokësore në shtator të vitit 2022.

SPAK mbylli hetimet për këtë çështje më 8 dhjetor 2023, duke dërguar për gjykim ish-zyrtarin vendor dhe 10 persona të tjerë të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.