Vendosni fjalën kyçe....

“Çdo termocentral në Iran do dalë jashtë funksionit brenda katër orëve nëse s’ka marrëveshje” – Trump


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të hënën me lëshimin e sulmeve gjithëpërfshirëse mbi infrastrukturën e Iranit brenda pak orësh, nëse Teherani dështon të përmbushë afatin për një marrëveshje që i jep fund luftës.

“Ne kemi një plan ku çdo urë në Iran do të asgjësohet, dhe ku çdo termocentral në Iran do të jetë jashtë funksionit, duke u djegur, duke shpërthyer dhe për të mos u përdorur kurrë më,” tha Trump në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

“E kam fjalën për demolim të plotë — deri në orën 12, dhe kjo do të ndodhë gjatë një periudhe prej katër orësh nëse ne duam. Ne nuk dëshirojmë që kjo të ndodhë.”

Trump tha se sulmet mund të fillojnë që të martën mbrëma, përpara afatit të orës 20:00 (sipas kohës lindore të SHBA-së) që ai i ka vendosur Iranit për të përmbushur kërkesat amerikane, përfshirë braktisjen e ambicieve bërthamore dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

“I gjithë vendi mund të nxirret jashtë loje brenda një nate, dhe ajo natë mund të jetë nata e nesërme,” tha ai. “Shpresoj të mos më duhet ta bëj këtë.”

Trump hodhi poshtë kritikat se shënjestrimi i infrastrukturës civile mund të përbëjë krim lufte.

“Nuk jam i shqetësuar për këtë. E dini çfarë është krim lufte? Të kesh një armë bërthamore,” tha ai më herët gjatë një aktiviteti të Pashkëve në Shtëpinë e Bardhë.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se sulmet më të rënda të luftës deri më tani priteshin të hënën, duke paralajmëruar se e marta mund të sjellë edhe më shumë.

Irani: ‘Trump ka humbur kontrollin’

Një zyrtar iranian i sigurisë i tha CNN-it se Teherani nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës sipas afatit të Trump-it, duke akuzuar presidentin amerikan për përshkallëzim të retorikës pas prapambetjeve në fushëbetejë.

“Irani dëshiron që lufta të përfundojë — por jo në mënyrën apo sipas orarit që dëshiron Trump,” tha zyrtari.

Ai shtoi se Irani nuk ka besim te Trump ose ekipi i tij negociues dhe prandaj ka kërkuar garanci shtesë në përgjigjen e tij drejtuar ndërmjetësve.

Sipas zyrtarit, gjuha gjithnjë e më agresive e Trump-it tregon se ai ka “humbur kontrollin” e konfliktit.

“Dështimi ushtarak në jug të Isfahanit, i koordinuar me Netanyahun, ishte një dështim strategjik,” tha ai, duke iu referuar mbase rrëzimit të një avioni amerikan F-15 mbi Iran dhe operacionit pasues të shpëtimit.

“Përshkallëzimi i fyerjeve dhe gjuha agresive ndaj popullit iranian tregon se ai ka humbur kontrollin e menaxhimit të luftës.”

Përgjigja e Teheranit, e dorëzuar herët të hënën përmes Pakistanit, përfshin gjithashtu kërkesa për një kornizë të re që rregullon kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit.

Irani ka bërë të qartë se rruga ujore “nuk do të kthehet në kushtet e mëparshme” nëse lufta nuk përfundon përgjithmonë, tha zyrtari, mes thirrjeve në rritje brenda Iranit për të vendosur tarifa ndaj anijeve në korridorin strategjik, shkruan Ynet.