
Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas tensioneve të forta të një dite më parë në Kuvend, ku mazhoranca dhe opozita u përplasën ashpër, deri në prag të konfrontimit fizik.
Në reagimin e saj, Spiropali ngriti shqetësimin për një krizë më të thellë se përplasjet politike të zakonshme, duke paralajmëruar për rrezikun e dobësimit të institucioneve dhe rënies së besimit publik.
Sipas saj, situata në Parlament nuk lidhet thjesht me konfliktin politik, por me faktin se ky konflikt po zëvendëson vetë funksionin e institucionit.
“Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare. Dje nuk pamë vetëm tension, por një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë. Problemi nuk është konflikti në vetvete, por se konflikti banal po zëvendëson funksionin,” u shpreh ajo.
Spiropali theksoi se Parlamenti po humbet rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues, duke u kthyer në një arenë ku energjia politike shpërdorohet pa prodhuar zgjidhje.
Ajo paralajmëroi se pasoja e parë e kësaj situate është rënia e besimit të qytetarëve, e cila, sipas saj, prek vetë themelin e Republikës Parlamentare.
“Një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura, por me funksion, me debat që prodhon kuptim dhe me kontroll që sjell përgjegjësi,” theksoi Spiropali.
Në përfundim, ajo vuri në dukje se nëse kjo situatë vazhdon, ekziston rreziku që institucionet të mbeten vetëm formale, pa ushtruar realisht rolin e tyre, duke theksuar se edhe procesi i integrimit europian kërkon institucione funksionale dhe jo thjesht ekzistuese.