NASA ka publikuar imazhet e para me rezolucion të lartë të Tokës, të realizuara nga ekuipazhi i misionit Artemis II gjatë udhëtimit të tyre drejt Hënës.
Komandanti i misionit, Reid Wiseman, ka realizuar fotografitë e cilësuara si “spektakolare”, pasi ekuipazhi përfundoi manovrën përfundimtare të motorit që i vendosi në trajektoren drejt satelitit natyror të Tokës.
Imazhi i parë, i titulluar “Hello, World”, paraqet Tokën si një sferë blu të rrethuar nga një shtresë e hollë atmosfere, me Oqeanin Atlantik në qendër dhe një shkëlqim të gjelbër aurorash në pole. Në të njëjtën pamje është identifikuar edhe Venusi, që shfaqet si një pikë e ndritshme në sfond.
Një tjetër fotografi, e titulluar “Artemis II Looking Back at Earth”, është realizuar nga brenda kapsulës Orion, duke treguar Tokën nga një prej dritareve të saj.

Pamjet janë marrë pasi anija përfundoi me sukses manovrën që e nxori nga orbita e Tokës, duke nisur udhëtimin prej mbi 200 mijë miljesh drejt Hënës. Misioni ndjek një trajektore që do ta çojë ekuipazhin rreth anës së largët të Hënës dhe më pas në kthim drejt Tokës.
Ky është udhëtimi i parë i njerëzve jashtë orbitës së Tokës që nga viti 1972. Sipas planit, ekuipazhi do të kalojë pranë anës së largët të Hënës më 6 prill dhe pritet të rikthehet në Tokë më 10 prill.
Një tjetër imazh i publikuar tregon ndarjen mes ditës dhe natës në planet, e njohur si “terminatori”, duke krijuar një vijë të dukshme mes dritës dhe errësirës.

Astronauti Jeremy Hansen tregoi se pas manovrës, ekuipazhi ishte “i ngjitur pas dritareve” duke fotografuar Tokën. “Po marrim një pamje të bukur të anës së errët të Tokës, të ndriçuar nga Hëna,” tha ai.
Vetë Wiseman pranoi fillimisht vështirësitë në realizimin e fotove nga ajo distancë. “Është si të dalësh në oborrin e shtëpisë dhe të përpiqesh të fotografosh Hënën… kështu ndihet tani,” u shpreh ai, duke shtuar se më pas arriti të kapte pamje më të qarta të planetit.
