Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Fati i integrimit në BE varet nga vendet e mëdha



Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku theksoi se ecuria drejt anëtarësimit nuk varet vetëm nga vendi ynë, por edhe nga vullneti i shteteve anëtare.

Rama u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme, por theksoi se vendimmarrja përfundimtare është në dorë të vendeve të mëdha të BE-së.

“Po na buzëqesh fati se janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë rresht në mbështetje të kësaj ëndrre që ka qenë shekullore. Kemi bërë një punë të madhe për ta ndryshuar imazhin e vendit. Shqiptarët që janë jashtë, dikur përballeshin me paragjykime sapo paraqisnin pasaportën, por sot situata ka ndryshuar”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë theksoi se edhe pse Shqipëria mund të përmbushë të gjitha detyrimet, procesi mund të bllokohet nëse vendet anëtare nuk janë të gatshme për zgjerim.

“Ti mund t’i bësh detyrat e shtëpisë, por nëse vendet e mëdha nuk e kanë në plan të të marrin në një nivel tjetër, nuk e kapërcen dot. Sot jemi në kushte kur vendet e BE-së duan të na marrin me vete, por kjo nuk është çështje fjalësh, është çështje pune”, tha Rama.

Ai përdori edhe një krahasim për të shpjeguar ndikimin e vendeve të mëdha në këtë proces, duke theksuar se vendimet e tyre shpesh përcaktojnë fatin e vendeve më të vogla.

Kujtojmë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë, ndërkohë që kohët e fundit ka pasur edhe kritika ndaj saj lidhur me çështje të ndryshme, përfshirë atë të njohur si “Balluku”.