
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërriti në Francë për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të G7, ku pritet të paraqesë prioritetet e Shteteve të Bashkuara për konfliktin me Iranin, përcjell Fox News.
Takimi zhvillohet në një klimë tensioni mes Uashingtonit dhe aleatëve perëndimorë, pasi shumica e vendeve të G7 – Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia – kanë mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm ndaj fushatës ushtarake amerikano-izraelite dhe kanë refuzuar të përfshihen në sulme direkte.
Para nisjes, Rubio mbajti një qëndrim të ashpër, duke theksuar se prioriteti i tij janë interesat amerikane.
“Nuk punoj për Francën, Gjermaninë apo Japoninë… punoj për popullin amerikan”, deklaroi ai.
Administrata e Donald Trump ka shtuar presionin ndaj partnerëve për të kontribuar më shumë, veçanërisht në sigurinë detare në ngushtica strategjike si Ngushtica e Hormuzit.
Rubio kritikoi aleatët për mungesë mbështetjeje, duke krahasuar situatën me luftën në Ukrainë:
“Kur SHBA ka nevojë, nuk merr përgjigje pozitive nga NATO. Disa liderë thanë se Irani nuk është lufta e Europës. Po Ukraina nuk është lufta jonë, megjithatë kemi kontribuar më shumë se kushdo tjetër,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, zyrtarët europianë kanë theksuar nevojën për zgjidhje diplomatike dhe shmangie të përshkallëzimit. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se duhet “të dilet nga lufta dhe jo të përshkallëzohet më tej”, duke paralajmëruar pasoja globale.
Edhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, theksoi se fokusi do të jetë tek siguria detare dhe mbrojtja e lirisë së lundrimit, përfshirë misione ndërkombëtare me karakter mbrojtës.
Dallimet mes SHBA-së dhe Europës kanë krijuar tensione të dukshme, aq sa sipas raportimeve, liderët mund të shmangin një deklaratë të përbashkët përfundimtare për të mos ekspozuar ndarjet.
Analistët paralajmërojnë se këto mosmarrëveshje mund të thellojnë ndarjen transatlantike dhe të ndikojnë në bashkëpunimin për çështje të tjera globale, përfshirë Ukrainën dhe sigurinë energjetike.
Takimi i G7 pritet të jetë një test i rëndësishëm për unitetin e aleatëve perëndimorë përballë krizës në rritje në Lindjen e Mesme.