
Policia ka zbuluar një lokal në Fushë Arrëz ku zhvillohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit. Pas kontrolleve, u arrestua në flagrancë punonjësi i lokalit, ndërsa dy të tjerë, të dyshuar si organizatorë, janë shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin P. P., 30 vjeç, banues në Fushë Arrëz, punonjës i lokalit. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur shtetasit I. T., 30 vjeç, dhe G. P., 39 vjeç, banues në Tiranë, të cilët dyshohet se kanë organizuar veprimtarinë e paligjshme.
Gjatë kontrollit në lokal u sekuestruan 2 makineta, 1 pajisje kompjuterike, 1 celular dhe 140 000 lekë, të dyshuara si përfitime nga aktiviteti i paligjshëm.
Operacioni, i koduar “Gaminator”, u organizua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Seksioni i Mbështetjes Operacionale Hetimore i DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e lojërave të fatit të paligjshme.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.