Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi sfidon Ramën: Burrëria matet me vepra, hiqini imunitetin Belindës



Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama për përdorimin e retorikës së “virilitetit” në politikë, duke e cilësuar këtë si një shenjë dobësie politike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi deklaron se forca politike nuk provohet me fjalë, por me veprime konkrete, ndërsa sfidon mazhorancën të ndërmarrë hapin për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si “prova reale e testosteronit politik”.

“Rrëshkitja tek kodet më primitive të fuqisë është tipike për sektin e Rilindjes! Kur ndjejnë fundin aktivizojnë kodin arkaik të dominimit: virilitetin. Mbrëmë e bëri Batoni, kësaj here në emër të Ramës”, shkruan Këlliçi.

Ai shton më tej: “Burrëria matet me vepra në fushë racionale, dhe jo me fjalë: a ia heq dot imunitetin të hënën Belindës? Kjo është prova e ‘testosteronit’.”

Deputeti demokrat thekson se, sipas tij, përdorimi i kësaj gjuhe në diskursin publik tregon se pushteti ndodhet “drejt fundit”, ndërsa e mbyll reagimin me tone ironike ndaj kryeministrit.