Vendosni fjalën kyçe....

Blushi përplaset me Peleshin për imunitetin e Ballukut: Korrupsioni duhet të jetë vija e kuqe për Kuvendin


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, është përplasur me deputetin Niko Peleshi gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, në një debat të ashpër mbi çështjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Blushi akuzoi mazhorancën se mbron zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion, ndërsa, sipas tij, qytetarët e thjeshtë ndëshkohen rëndë për shkelje të vogla.

“Ju miratoni ligje për të dënuar me burg shqiptarët për parkim dysh dhe nuk dorëzoni para drejtësisë zv/kryeministren hajdute të kapur për vjedhje në flagrancë. Standardi që shqiptarët të bëjnë burg për parkimin dhe zv/kryeministrja të jetë e lirë për vjedhje është irritues. Korrupsioni duhet të jetë vija e kuqe për Kuvendin. Asnjë mbrojtje të mos ketë për çdo zyrtar hajdut që vjedh qytetarët më të varfër të kontinentit,” u shpreh Blushi.

Ai e cilësoi të papranueshme, sipas tij, që Kuvendi të shndërrohet në mburojë për mbrojtjen e korrupsionit, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të imunitetit të Ballukut.

“Revoltuese të dënoni me burg shqiptarët e thjeshtë për parkimin dysh dhe të mbroni një hajdute të qindra milionë euro. Imuniteti i duhej hequr dje, jo nesër. Boll e keqpërdoret Kuvendi për të mbrojtur me thonj korrupsionin e Edi Ramës. Po legalizoni pandëshkueshmërinë dhe mbrojtjen e korrupsionit të Ramës,” theksoi ai.

Sipas Blushit, çështja që lidhet me Ballukun është e pandarë nga përgjegjësia politike e kryeministrit.

“Dosja Balluku është dosja e Ramës, por hajduteritë e tij nuk mund të tërheqin për veshi Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi nuk mund të kthehet në mburojë për hallet e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut. Dorëzoni Ballukun dhe mos i provokoni më shqiptarët, përndryshe flaka e revoltës do të mbërrijë edhe në zyrat e Kuvendit,” përfundoi Blushi.