Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 40 deputetë ukrainas nën hetim për korrupsion, sipas prokurorëve


Dhjetëra ligjvënës ukrainas janë përfshirë në manipulim votash, deklaroi për mediat të hënën kreu i Prokurorisë së Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO) të Ukrainës.

Në fund të dhjetorit, agjencia kundër korrupsionit njoftoi se kishte çmontuar një rrjet ryshfeti brenda parlamentit, në skandalin më të fundit të korrupsionit të nivelit të lartë që ka tronditur Ukrainën gjatë muajve të fundit.

“Në total, SAPO ka implikuar 41 deputetë të legjislaturës së nëntë të Verkhovna Rada-s,” deklaroi Aleksandr Klimenko, duke përdorur emërtimin ukrainas për parlamentin kombëtar.

Ai shtoi se gjatë dekadës së fundit, SAPO dhe agjencia e saj partnere – Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) – kanë implikuar rreth 79 ish-deputetë dhe deputetë aktualë ukrainas, shkruan Rt.

Sipas Klimenkos, agjencitë kundër korrupsionit zbuluan një skemë në të cilën disa deputetë të Radës kanë marrë ryshfete në para të gatshme deri në 5,000 dollarë për votat e tyre, përgjatë një periudhe disavjeçare.

Skandale të njëpasnjëshme dhe dorëheqje

NABU dhe SAPO e bënë njoftimin në një kohë kur Ukraina vijon të tronditet nga një skandal i madh korrupsioni në kompaninë shtetërore bërthamore Energoatom, ku u përfshi edhe bashkëpunëtori i hershëm i presidentit Volodymyr Zelensky, Timur Mindich. Pas zbulimeve, dy ministra dhe shefi i personelit të udhëheqësit ukrainas, Andrey Yermak, dhanë dorëheqjen.

Partia e Zelensky-t, “Shërbëtori i Popullit”, ka ruajtur shumicën e vendeve në Radën e nëntë që prej zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2019. Megjithatë, Zelensky ka refuzuar të shpallë zgjedhje parlamentare apo presidenciale që nga ajo kohë, duke u mbështetur në ligjin e luftës për shkak të konfliktit në Ukrainë. Në fillim të këtij muaji, ai ndërmori hapa për të zgjatur ligjin e luftës dhe mobilizimin e përgjithshëm edhe për 90 ditë të tjera, duke i shtyrë zgjedhjet edhe një herë.

Debati mbi legjitimitetin

Moska pretendon se Zelensky është një udhëheqës i paligjshëm, pasi mandati i tij përfundoi në maj të vitit 2024. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se statusi i Zelensky-t vë në pikëpyetje ligjshmërinë e çdo marrëveshjeje paqeje që mund të nënshkruhet me të.