Vendosni fjalën kyçe....

Ekonomia e Eurozonës mbyll vitin 2025 me rritje të qëndrueshme falë sektorit të tregtisë me pakicë dhe industrisë gjermane


Ekonomia e Eurozonës ka mbyllur një vit sfidues me shenja të qëndrueshme rritjeje, ndërsa të dhënat e publikuara të premten treguan një performancë më të mirë se parashikimet në sektorin e shitjeve me pakicë dhe një rimëkëmbje të industrisë gjermane.

Shitjet me pakicë në Eurozonë u rritën me 0.2% në nëntor, duke tejkaluar parashikimin prej 0.1%.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja arriti në 2.3%, shumë mbi pritshmëritë prej 1.6%, pasi shifrat e tetorit u rishikuan ndjeshëm në rritje, përcjell Reuters.

Të dhënat e publikuara në ditët e fundit tregojnë se ekonomia e Eurozonës mbetet e zbehtë, me inflacionin pranë nivelit ideal prej rreth 2%”, tha Oxford Economics në një shënim për klientët.

Ky ritëm i inflacionit është në përputhje me objektivat e Bankës Qendrore Evropiane, e cila ka mbështetur ekonominë me ulje të vazhdueshme të normave të interesit gjatë dy viteve të fundit.

 

Industria gjermane jep shenja ringritjeje

Gjermania, ekonomia më e madhe e Eurozonës, ndonëse në një periudhë të zgjatur stanjacioni, shfaqi një rezultat pozitiv në industrinë e saj:

Prodhimi industrial u rrit me 0.8% nga muaji i kaluar, dy herë më shumë se pritshmëritë.

Porositë industriale u rritën me 5.6%, të nxitura nga kontrata të mëdha.

Ekonomistët shohin një ndikim të drejtpërdrejtë të paketës së re të shpenzimeve qeveritare për mbrojtjen dhe infrastrukturën. “Stimuli ka nisur të japë efektet e para,” u shpreh ekonomisti i Berenberg, Holger Schmieding, duke shtuar se vetëm rritja e shpenzimeve publike pritet të shtojë rreth 0.4 pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së.

Ndërtimi, i nxitur nga normat më të ulëta të interesit dhe mungesa gjithnjë e më e theksuar e banesave, pritet të jetë një tjetër faktor i rëndësishëm i rritjes.

 

Eksportet gjermane bien ndjeshëm

Pavarësisht shenjave pozitive në industri, eksportet – një motor tradicional i ekonomisë gjermane – shënuan rënie:

Eksportet ranë me 2.5% në nëntor krahasuar me muajin paraardhës.

Bilanci tregtar ra nga 17.2 miliardë euro në 13.1 miliardë euro.

Eksportet drejt SHBA-së u ulën me 22.9% në bazë vjetore, pas vendosjes së tarifave amerikane mbi shumicën e mallrave evropiane.

Megjithëse Eurozona u përball me sfida të mëdha në vitin 2025, nga tronditjet në tregtinë globale te pasiguria e vazhdueshme ekonomike, të dhënat e fundit tregojnë se blloku monetar ka hyrë në vitin 2026 me një bazë të qëndrueshme dhe perspektiva për rritje të moderuar.