Vendosni fjalën kyçe....

Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje në disa zona të Lezhës, vështirësi në qarkullim



Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa zona të qytetit të Lezhës, duke sjellë vështirësi në qarkullim për këmbësorët dhe automjetet.

Situata më problematike paraqitet në lagjen “Besëlidhja”, si edhe në disa hyrje shkollash, ku uji është grumbulluar në nivel prej disa centimetrash. Si pasojë, lëvizja e nxënësve, prindërve dhe banorëve është vështirësuar, ndërsa janë krijuar shqetësime për sigurinë dhe normalitetin e aktivitetit të përditshëm.

Sipas informacioneve paraprake, grumbullimi i ujit ka ardhur si pasojë e reshjeve intensive të shiut, ndërkohë që deri më tani nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se kjo situatë pritet të zgjidhet përfundimisht me përmbylljen e projektit të rehabilitimit të rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza në qytetin e Lezhës. Ky projekt, që po zbatohet prej disa muajsh, synon përmirësimin e sistemit të kullimit dhe parandalimin e përmbytjeve në raste reshjesh të dendura.