Vendosni fjalën kyçe....

Kina pas arrestimit të Maduros: Asnjë vend nuk mund të veprojë si “gjyqtar i botës”


Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha se Pekini nuk mund të pranojë asnjë vend që të veprojë si “gjyqtar i botës” pasi Shtetet e Bashkuara kapën Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro.

“Ne kurrë nuk kemi besuar se ndonjë vend mund të veprojë si policia e botës, as nuk pranojmë që ndonjë komb mund të pretendojë të jetë gjykatësi i botës”, i tha Wang homologut të tij pakistanez, Ishaq Dar, gjatë një takimi në Pekin të dielën, duke iu referuar “zhvillimeve të papritura në Venezuelë” pa përmendur drejtpërdrejt SHBA-në.

“Sovraniteti dhe siguria e të gjitha vendeve duhet të mbrohen plotësisht sipas ligjit ndërkombëtar”, shtoi diplomati më i lartë i Kinës, në vërejtjet e tij të para që kur imazhet e 63-vjeçarit Maduro me sy të lidhur dhe pranga të shtunën i tronditën venezuelianët, shkruan Reuters.

Maduro ndodhet në një qendër paraburgimi në Nju Jork, duke pritur një paraqitje në gjykatë të hënën për akuzat për drogë.

Megjithatë, pohimi i Presidentit Donald Trump se SHBA-të do të mbikëqyrin qeverinë e Venezuelës për momentin përbën një provë të ashpër për “partneritetin strategjik gjithëpërfshirës për të gjitha motet” që Pekini dhe Karakasi arritën në vitin 2023, duke shënuar pothuajse 50 vjet lidhje diplomatike.