Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje të dielën për një paqe të “dinjitetshme” dhe për garanci që Rusia nuk do ta sulmojë më Ukrainën, teksa përgatitet për takime në Berlin me të dërguar amerikanë dhe aleatë evropianë, me qëllim t’i japin fund konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, përcjell REL.
Zelensky kritikoi Moskën për zvarritjen e luftës, duke përmendur bombardimet vdekjeprurëse mbi qytetet dhe infrastrukturën e energjisë dhe ujit në Ukrainë. Ai gjithashtu iu referua presionit të presidentit amerikan Donald Trumppër të nënshkruar një marrëveshje paqeje, e cila fillimisht mbështeste kërkesat ruse.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se Steve Witkoff dhe Jared Kushner, i dërguari dhe dhëndri i Trumpit, po udhëtonin drejt Gjermanisë për bisedime me liderët ukrainas dhe evropianë. Ky zhvillim shihet si shenjë se Uashingtoni po shikon mundësinë e përparimit, pothuajse katër vjet pas fillimit të pushtimit rus në 2022.
“Ukraina ka nevojë për paqe me kushte të dinjitetshme dhe ne jemi të gatshëm të punojmë sa më konstruktivisht të jetë e mundur. Ditët në vijim do të jenë të mbushura me diplomaci dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që ajo të japë rezultate”, tha Zelensky.
Zëvendësministri i Jashtëm ukrainas, Sergiy Kyslytsya, konfirmoi përmes një postimi në rrjetet sociale se i pret “një ditë takimesh” në Berlin, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Në këtë kontekst, Kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të presë Zelenskyn dhe liderë evropianë për një samit të hënën në Berlin, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme evropiane ndaj Ukrainës.
Ndërkohë, draft-propozimet amerikane për paqe, të zbuluara muajin e kaluar, kërkonin që Kievi të dorëzonte pjesë territoresh, të hiqte dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO dhe të pranonte kufizime në forcat e armatosura. Aleatët evropianë e kanë përshkruar këtë si një “moment kritik” dhe po shqyrtojnë mundësinë e shtimit të ndihmës financiare për Ukrainën duke përdorur asetet e ngrira ruse.
Në dhjetor, Putin priti Witkoffin dhe Kushnerin për një takim që Kremlini e përshkroi si “konstruktiv”, megjithëse pa arritur përparime të mëdha.