Vendosni fjalën kyçe....

Tornado e fuqishme në Paris, një viktimë dhe dhjetë të plagosur



Një tornado e fuqishme goditi zonat veriore të Parisit të hënën, duke shkaktuar vdekjen e një punëtori ndërtimi 23-vjeçar dhe plagosjen e dhjetë personave të tjerë, katër prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike, sipas autoriteteve franceze të raportuar nga Guardian.

Qyteti Ermont, rreth 20 kilometra në verilindje të Parisit, ishte më i prekur nga stuhia e papritur, e cila shkaktoi dëme në rreth dhjetë zona përreth kryeqytetit francez.

Sipas prokurorit rajonal Guirec Le Bras, tornadoja rrëzoi tri vinça ndërtimi dhe shkulur çatitë e disa ndërtesave, duke krijuar panik dhe shkatërrim në zonë.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, e përshkroi stuhinë si një “fenomen të rrallë dhe me intensitet të papritur”, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës.

“Po ndjek nga afër situatën dhe shpreh mbështetjen time për autoritetet, ekipet e shpëtimit dhe banorët e prekur,” shkroi ai në platformën X.

Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë momentin dramatik kur tri vinçat shemben brenda pak sekondash. Një prej tyre ra mbi një klinikë pa shkaktuar viktima, ndërsa një tjetër u përplas mbi një ndërtesë banimi.

Autoritetet thanë se dhjetëra zjarrfikës, policë dhe ekipe emergjence ndodhen në terren për të ndihmuar banorët dhe për të vlerësuar dëmet materiale, të cilat përshkruhen si të konsiderueshme.