
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka ngritur shqetësimin për funksionimin e institucioneve të dala nga reforma në drejtësi, duke theksuar se ato po pranojnë publikisht dështimin e tyre.
Deklarata e Balliut erdhi pas një seance dëgjimore me kreun e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD), ku sipas tij, u bë e qartë se drejtuesit e këtyre institucioneve nuk janë në gjendje të ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë efektive.
Në një postim në rrjetet sociale, Balliu citon kreun e ILD: “Nuk kemi ç’t’i bëjmë”, duke shtuar se mungesa e burimeve njerëzore dhe mënyra e gabuar me të cilën është konceptuar dhe zbatuar reforma, e kanë pamundësuar funksionimin normal të institucioneve.
Deputeti demokrat e cilësoi këtë një “pranim institucional” të dështimit të reformës, duke theksuar se problemi qëndron si tek konceptimi, ashtu edhe tek zbatimi i saj që nga fillimet.
“Ky është një pranim institucional se reforma në drejtësi ka dështuar në thelb dhe në funksionim,” shkruan Balliu, duke kërkuar reflektim dhe ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes.
Postimi i Balliut:
“Kryetari i ILD: ‘Nuk kemi ç’t’i bëjmë’. Sot, gjatë seancës dëgjimore me kreun e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, u bë e qartë se vetë institucionet e dala nga reforma në drejtësi po pranojnë dështimin e saj. Kreu i ILD pranoi se institucioni që ai drejton nuk është në gjendje të ushtrojë funksionet e veta në mënyrë efektive, si pasojë e mungesës së burimeve njerëzore dhe e mënyrës së gabuar me të cilën është konceptuar dhe zbatuar reforma.”