
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Itinerari”, pas një hetimi disa javor për falsifikimin e vizave të hyrjes në Shqipëri.
Policiaia dokumentoi 7 raste të kësaj veprimtarie kriminale, ku tre persona bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të prodhuar dokumente false dhe për t’i shitur ato emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt shumës prej 1000 euro secila.
Policia vu ne pranga organizatorin 22-vjeçar, ndërsa dy bashkëpunëtorë të tjerë, një 22-vjeçar dhe një 46-vjeçar, u proceduan penalisht.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i ndjekjes disajavore të një informacioni të siguruara në rrugë operative, për disa raste të sigurimit dhe shitjes së dokumenteve false, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Tiranë finalizoi operacionin e koduar “Itinerari”.
Gjatë periudhës hetimore u dokumentuan 7 raste të veprimtarisë kriminale të 3 shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, falsifikonin viza për të hyrë në Shqipëri dhe ua shitnin ato, emigrantëve nga Vendet e Treta, me 1000 euro për dokument.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit, u ndalua organizatori i kësaj veprimtarie, shtetasi A. T., 22 vjeç, lindur në Bregun e Fildishtë dhe banues në Paskuqan, si dhe u proceduan penalisht shtetasi Y. Z., 22 vjeç, lindur në Bregun e Fildishtë dhe banues në Paskuqan, si dhe shtetasi shqiptar A. R., 46 vjeç, banues në Shkodër.
Vijojnë hetime për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve, në këtë fushë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.