
Sir Tony Blair, ish-kryeministri britanik, po synon të marrë një rol drejtues në menaxhimin e Gazës pas luftës, sipas një plani paqeje që po përgatitet nga administrata Trump, kanë bërë me dije burime të informuara për propozimin.
Blair ka zhvilluar diskutime mbi planet e pas-konfliktit me presidentin amerikan Donald Trump, i cili këtë javë prezantoi propozimet e tij më të fundit për armëpushim në Gaza dhe mënyrën se si do të qeveriset rajoni gjatë një periudhe tranzitore pas përfundimit të luftimeve, gjatë një takimi me liderë arabë dhe myslimanë.
Sipas propozimeve të Trump, do të krijohet një komitet palestinez për administrimin e Gazës së shkatërruar nga lufta, i cili do të mbikëqyret nga një bord ndërkombëtar.
Një nga personat e informuar mbi planet tha se Tony Blair dëshiron të jetë pjesë e bordit mbikëqyrës, ndërsa një tjetër burim tha se ai është propozuar si kryetar i bordit të një strukture të quajtur “Autoriteti Ndërkombëtar Kalimtar për Gazën”. Zyra e Blair nuk pranoi të komentojë.
Ish-kryeministri britanik, që pas largimit nga Downing Street ka shërbyer si i dërguar në Lindjen e Mesme, prej muajsh ka punuar në mënyrë të pavarur për një plan që parashikon vendosjen e një administrimi ndërkombëtar të përkohshëm në Gaza, pas përfundimit të luftës gati dyvjeçare të Izraelit kundër Hamasit.
Muajin e kaluar, Blair mori pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë, ku diskutoi planet për periudhën pas luftës në Gaza, së bashku me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump dhe ish-këshilltarin e tij për Lindjen e Mesme gjatë mandatit të parë presidencial.
Shtetet evropiane dhe arabe janë shprehur kundër idesë së një administrimi ndërkombëtar të përkohshëm në Gaza, duke argumentuar se një skemë e tillë do t’i margjinalizonte palestinezët dhe do të mungonte legjitimiteti në sytë e banorëve vendas.
Sipas tyre, Gaza duhet të administrohet nga një komitet teknokratësh palestinezë, i miratuar nga Autoriteti Palestinez, institucioni i mbështetur nga Perëndimi që aktualisht qeveris pjesë të kufizuara të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Planet e Donald Trump përfshijnë elementë nga disa prej propozimeve evropiane dhe arabe: krijimin e një komiteti palestinez për të drejtuar Gazën, me mbikëqyrje ndërkombëtare, si dhe dërgimin e një force stabilizuese ndërkombëtare për të menaxhuar sigurinë.
Plani thekson gjithashtu se nuk do të ketë zhvendosje të detyruar të banorëve të Gazës.
Zyrtarët arabë thanë se janë optimistë për planin pas takimit me Trump, që u mbajt në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York të martën. Në takim morën pjesë liderë dhe zyrtarë të lartë nga Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia, Katari, Pakistani dhe Indonezia.
Një person i informuar mbi diskutimet për një rol të mundshëm të Blair tha se SHBA po synon që ai të ketë pjesë në një marrëveshje tranzitore në Gaza.
Sipas propozimeve të Trump, SHBA do të insistojë për një armëpushim të përhershëm, ku të gjithë pengjet e mbetura nga Hamas — rreth 20 të cilët besohet se janë gjallë — do të lirohen njëherësh.
Forcat izraelite në Gaza do të rivendosen në pozicionet që mbajtën gjatë armëpushimit të përkohshëm nga janari deri në mars dhe do të tërhiqen plotësisht nga shiriti sapo të vendoset një forcë stabilizuese ndërkombëtare.
Hamas, që nisi luftën me sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, i cili la pas 1,200 viktima, nuk do të ketë rol në qeverisje. Autoriteti Palestinez do të përfshihet në tranzicion, por shtetet arabe dhe myslimane dëshirojnë që roli i tij të zgjerohet, sipas personave të informuar mbi planin e Trump.
Një provë e madhe për suksesin e planit do të jetë reaksioni i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kur ai takohet me presidentin amerikan në Uashington të hënën.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka premtuar shpesh të “shkatërrojë” Hamasin. Ai prishi armëpushimin e fundit në mars dhe javët e fundit ka nisur një ofensivë të re mbi Qytetin e Gazës, qendra më e madhe urbane e enklavës. Ai gjithashtu ka refuzuar vazhdimisht çdo rol për Autoritetin Palestinez.
Reagimi i tij ndaj planit të Trump mund të jetë një provë për vendosmërinë e presidentit amerikan për të ushtruar presion mbi Izraelin që të ndalojë ofensivën në Gaza, e cila ka shkaktuar më shumë se 65,000 viktima, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Trump tha të enjten për gazetarët në Oval Office se kishte pasur një “bisedë shumë të mirë” me Netanyahu dhe udhëheqës të tjerë të Lindjes së Mesme, dhe se ishte “afër arritjes së një marrëveshjeje për Gazën”. Ai gjithashtu shtoi: “Nuk do të lejoj Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor” dhe këtë ia kishte bërë të ditur Netanyahu.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar menjëherë për rolin e Tony Blair në këtë plan.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Financial Times