Vendosni fjalën kyçe....

Kina njofton zbulimin masiv të naftës dhe gazit


Korporata shtetërore kineze e naftës dhe gazit CNOOC ka njoftuar zbulimin e një fushe të madhe nafte me rezerva të lehta të papërpunuara prej 100 milionë tonësh në Detin Bohai, i cili shtrihet përgjatë vijës bregdetare veriore të vendit.

Sipas një deklarate nga kompania të mërkurën, fusha nafte Bozhong 26-6 shtrihet në jug të detit Bohai, me një thellësi mesatare uji prej 22 metrash.

Pusi i zbulimit është shpuar dhe përfunduar në një thellësi prej 4480 metrash dhe ka hasur në gjithsej 321.3 metra zona me naftë. Pusi u testua për të prodhuar mesatarisht rreth 2,040 fuçi naftë bruto dhe 11.45 milionë këmbë kub gaz natyror në ditë, thuhet në raport.

“Fusha naftëmbajtëse Bozhong 26-6 është zbulimi i tretë i fushës së naftës me njëqind milionë ton rezerva në detin jugor të Bohait pas Kenli 6-1 dhe Kenli 10-2,” tha zëvendës shefi i sektorit të kërkimit të CNOOC, Xu Changgui.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Zhou Xinhuai, shtoi se CNOOC ‘do vazhdojë të kërkojë fusha të naftës dhe gazit me madhësi mesatare dhe të madhe dhe të vazhdojë vrullin në zhvillimin e naftës dhe gazit në det të hapur’.

Sipas ekspertëve të industrisë, zbulimet e gazit natyror dhe naftës në Detin Bohai do rrisin prodhimin vjetor të CNOOC në mbi 80 milionë ton ekuivalent nafte deri në vitin 2025.

CNOOC është kompania e tretë më e madhe kombëtare e naftës në Kinë pas CNPC dhe Sinopec. E themeluar në vitin 1982 dhe me seli në Pekin, CNOOC merret me prodhimin, rafinimin dhe tregtimin e naftës dhe gazit natyror nga zonat në det të hapur të Kinës.