
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu deklaroi se nuk ka një propozim konkret për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, por theksoi se është gati për t’u përballur me çdo sfidë, duke e cilësuar situatën politike në vend si një “regjim”.
Balliu u shpreh se drejtimin e fushatës së PS-së në Tiranë e ka marrë Belinda Balluku, sipas tij, “sepse ka më shumë para dhe ka vjedhur më shumë”.
“Balluku drejton fushatën sepse ka 75% të buxhetit të shtetit në dorë. Ajo ka bërë më shumë afera korruptive dhe për këtë arsye i jepet drejtimi. Manastirliu nuk ka asnjë peshë, është vetëm një kukull,” – u shpreh Balliu.
Ai tha se brenda PS-së ka përplasje për pushtet dhe se ka pasur tentativa për ta bindur Erion Veliajn që të japë dorëheqjen, por ai nuk ka pranuar. Sipas tij, Edi Rama po përgatit shkarkimin e Veliajt, dhe kjo është arsyeja pse pas shumë kohësh mblodhi qeverinë.
“Fundi i Ramës do të vijë shumë shpejt. Kjo parti funksionon me parimin ‘ta vrasin njëri-tjetrin për pushtet’. Ashtu siç po ndodh me Veliajn, do ta kafshojnë edhe trupin politik të Ramës,” – tha Balliu.
Në fund, ai shtoi se do të përballet me çdo figurë të PS-së, duke e konsideruar këtë një betejë me sistemin dhe jo vetëm një garë elektorale.