Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli kryen sulm në Doha, drejtues të lartë të Hamasit goditen në Katar


Të martën pasdite u dëgjuan disa shpërthime në Doha, kryeqytetin e Katarit, raportoi Reuters. Dëshmitarë thanë se tymi shihej duke u ngritur mbi distriktin Katara të qytetit.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan sulmin, duke e përshkruar si një “goditje precize që kishte në shënjestër drejtuesit më të lartë të organizatës terroriste Hamas.”

“Për vite me radhë, këta drejtues të Hamasit kanë udhëhequr operacionet e organizatës terroriste, mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për masakrën brutale të 7 tetorit dhe kanë orkestruar e menaxhuar luftën kundër shtetit të Izraelit,” tha IDF në deklaratë, përcjell Ynet.

“Para sulmit, u morën masa për të minimizuar dëmet ndaj civilëve, përfshirë përdorimin e municioneve precize dhe inteligjencës shtesë.”

Deklarata shtoi se IDF dhe Shërbimi i Sigurisë së Brendshme (Shin Bet) “do të vazhdojnë të veprojnë me vendosmëri për të mposhtur organizatën terroriste Hamas, përgjegjëse për masakrën e 7 tetorit.”

Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se sulmi i sotëm kundër krerëve kryesorë terroristë të Hamas-it ishte një operacion plotësisht i pavarur të Izraelit.

“Veprimi i sotëm kundër krerëve kryesorë terroristë të Hamas-it ishte një operacion plotësisht i pavarur izraelit. Izraeli e nisi, Izraeli e realizoi, dhe Izraeli merr përgjegjësinë e plotë,” tha Netanyahu, duke vënë në dukje se shteti izraelit qëndron prapa çdo hapi të ndërmarrë gjatë këtij sulmi.

 

Reagimi i Katarit

Ministria e Jashtme e Katarit e dënoi sulmin, duke e quajtur atë një sulm të ulët izraelit që kishte në shënjestër ndërtesa banimi ku jetonin disa anëtarë të byrosë politike të Hamasit në Doha, kryeqytetin e Katarit.

“Shteti i Katarit dënon fuqishëm sulmin cobard izraelit që goditi ndërtesa rezidenciale ku jetonin disa anëtarë të Byrosë Politike të Hamasit në kryeqytetin katariot, Doha. Ky sulm kriminal përbën një shkelje të hapur të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe paraqet një kërcënim serioz për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të Katarit dhe banorëve në Katar.

Ministria thekson se forcat e sigurisë, mbrojtja civile dhe autoritetet përkatëse nisën menjëherë ndërhyrjen për të adresuar incidentin dhe për të marrë masat e nevojshme për të përmbajtur pasojat dhe për të garantuar sigurinë e banorëve dhe të zonave përreth.

Ndërkohë që Shteti i Katarit dënon fuqishëm këtë sulm, ai konfirmon se nuk do të tolerojë këtë sjellje të pamatur të Izraelit dhe as çfarëdo veprimi që kërcënon sigurinë rajonale, apo që synon sigurinë dhe sovranitetin e tij.

Po zhvillohen hetime në nivelin më të lartë dhe detaje të mëtejshme do të shpallen sapo të jenë të disponueshme.”- thuhat në deklaratë.

Një zyrtar izraelit tha se Shtetet e Bashkuara u informuan përpara sulmit, sipas Reuters, dhe se presidenti Donald Trump i kishte dhënë Izraelit dritën jeshile për ta kryer atë.

Para se Izraeli të merrte përgjegjësinë, rrjeti irakian Sabrinews raportoi se shënjestër e sulmit ishte një qendër e Hamasit në Doha, ndërsa një burim nga Gaza tha se drejtuesit e lartë të Hamasit ishin objektivi kryesor.

Media arabe raportoi se ata ishin mbledhur për të diskutuar propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje pengjesh kur ndodhi sulmi.

Ndërkohë Ambasada e SHBA-së në Doha ka lëshuar një urdhër zyrtar, duke udhëzuar të gjithë shtetasit amerikanë që të qëndrojnë të izoluar në vendbanimet e tyre deri në njoftim të mëtejshëm.

 

Objektivi i sulmit

Sipas raportimeve, në takim morën pjesë figura të larta të Hamasit: Khalil al-Khayya, Khaled Mashaal, Muhammad Darwish, Razi Hamad dhe Izzat al-Rishq.

 Pak pas sulmit, Al-Arabiya raportoi se Khalil al-Khayya ishte vrarë.

Katar, i cili është kritikuar shpesh për mbështetjen financiare ndaj Hamasit, ruan njëkohësisht marrëdhënie të ngushta me SHBA-të dhe ka shërbyer si ndërmjetës në negociatat për lirimin e pengjeve të mbajtura nga grupi militant në Gaza.

 

Konteksti i negociatave

Të hënën, raporte nga Doha thanë se kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, kishte shtyrë drejtuesit e Hamasit “të përgjigjen pozitivisht” ndaj propozimit më të fundit të administratës së presidentit amerikan Donald Trump.

Një burim i informuar për bisedimet tha: “Katar po ushtron presion mbi Hamasin për të dhënë një përgjigje pozitive ndaj propozimit të fundit amerikan, i përcjellë përmes ndërmjetësve, i cili synon të sigurojë një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve.”