
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me komandantin e Forcave Detare të Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Afrikë, Admiralin Stuart B. Munsch, në kuadër të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për rilindjen e industrisë ushtarake.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi rëndësinë e këtij takimi dhe avancimin e projekteve strategjike, përfshirë Korridorin VIII dhe Portin e Ri të Durrësit.
“Në takimin me Komandantin e Forcave Detare të SHBA në Europë dhe Afrikë, Admiralin Stuart B. Munsch, diskutuam hapat që Shqipëria po ndërmerr për rilindjen e industrisë ushtarake, si dhe për ecurinë e projekteve të Korridorit VIII dhe Portit të Ri të Durrësit,” shkroi Rama në rrjetet sociale.
Në takim mori pjesë gjithashtu edhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe aleatëve strategjikë në sektorin e mbrojtjes dhe zhvillimin ekonomik.
