Vendosni fjalën kyçe....

Auron Tare paralajmëron “masakër” mbi Trashëgiminë Kulturore: Via Egnatia po shkatërrohet


Historiani dhe aktivisti Auron Tare ka bërë thirrje urgjente kryeministrit të Shqipërisë për të ndërhyrë dhe ndaluar, siç e quan ai, një “masakër” në dëm të Trashëgimisë Kulturore, pasi drejtuesit vendor kanë publikuar fotografi, duke e asfaltuar Via Egnatia-n.

Në një postim në rrjetet sociale, Tare shprehet se ndërhyrjet aktuale po e bëjnë Shqipërinë qesharake në sytë e botës dhe po shkatërrojnë pasurinë e trashëguar ndër shekuj.

Ai shton se rrënimi i institucioneve kombëtare të Trashëgimisë dhe përfshirja e OJF-ve dhe firmave pa kapacitete profesionale po shkakton dëme të pa kthyeshme.

“Via Egnatia, një ndër 10 rrugët më të rëndësishme të civilizimit europian, nuk mund të përfundojë e mbytur me asfaltin e injorancës,” shkruan Tare.

Ai kujton historinë e rrugës, që ka parë kalimin e legjioneve romake, perandorëve të ndryshëm, udhë të kryqëzatave dhe sulltanëve otomanë, si dhe rolin e saj si urë e kulturës nga Lindja drejt Europës.

Tare gjithashtu thekson se vendet fqinje, si Maqedonia dhe Greqia, kujdesen për ruajtjen e trashëgimisë historike, ndërsa Italia vazhdon restaurimin dhe mbrojtjen e rrugës Via Apia, simotrës së Egnatias.

Via Egnatia është udha jonë për në Europë. Ju lutem vini dorë përpara se Europa të na shikojë me përbuzje,” përfundon Tare në mesazhin e tij.

Në postim e tij, ai sjell fotografi krahasuese të pjesëve të Via Egnatia në Shqipëri, Maqedoni, Greqi dhe të Via Apia në Itali, duke nxjerrë në pah nevojën për restaurim dhe mbrojtje të kujdesshme.

 

Postimi:

  1. Kryeminister,

Vini dorë ju lutem vini dorë për të ndërhyrë dhe për të ndaluar këtë masakër në dëm të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri.

Përpos fakti që po bëhemin qesharakë në sytë të botës, po shkatërrojmë edhe atë pasuri që kemi trashëguar ndër shekuj.

Trashëgimia jonë Kombëtare nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë megjithë dëshirën e mirë që mund të jetë arsyeja e këtyre nderhyrjeve kaq qesharake dhe absurde.

Rrënimi i institucioneve kombëtare të Trashëgimisë dhe futja e OJF, firmave dhe Institucioneve që nuk kanë kapacitete po sjell dëme të pa kthyeshme në Trashëgimi.

Via Egnatia një ndër 10 rrugët më të rëndësishme te civilizimit europian. Rruga ku shkelen legjionet romake gjatë Luftës Civile te Cezarit dhe Pompeut. Rruga ku shkelen Perandorët e cdo epoke Imperiale nga Roma drejt Konstandinopojes. Nga ku etërit e Kishës sollën mesazhet biblike prej Jeruzalemit. Nga ku kultura e Orientit mbriti në Europë. Rruga nga ku barbarët rrënuan civilizime por pa e shkatërruar atë. Rruga e Kryqëzatave që vërshuan drejt Lindjes. Udha prej ku Sulltanët hijerëndë Otomanë vërshuan drejt Europës së Krishterë. Via Egnatia trashëgimia europiane që fati e bëri të kalonte mes nesh nuk mund të përfundojë e mbytur me asfaltin e injorancës.

Shikoni se si fqinjët tanë janë kujdesur për këtë mozaik të trashëgimisë Europiane. Maqedonia, Greqia e ruajnë me fanatizëm.

Shikoni si Italia e restauron dhe e mbron Via Apian simotrën e Egnatias që vinte nga Roma drejt Brundisiumit për tu lidhur me Egnatian.

Via Egnatia është Udha jonë për në Europë. Ju lutem vini dorë përpara se Europa të na shikojë me perbuzje për këto që po bëjmë ndaj Trashëgimisë së saj.

Foto

  1. Via Egnatia e “restauruar” nga Bashkia Peqin
  2. Pjese e Via Egnatia ne Maqedonine Veriore
  3. Via Egnatia ne Filipi, Greqi,
  4. Via Egnatia ne Kavalla Greqi,

5-7 Via Apia Rome