
Kreu i PD, Sali Berisha, komentoi zhdukjen e ish-zëvendësdrejtorit të AKSHI, Daniel Shima, i cili humbi kontaktet me familjen për rreth 10 orë.
Në një konferencë për media, Berisha e përshkroi Shimën si person në qendër të hetimeve për tenderë dhe interesa të dyshimta në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Ai gjithashtu përmendi lidhjet me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se tenderët në AKSHI sipas tij ishin të përcaktuar nga baxhanaku i Ramës, Armand Fangu dhe se se vetë Linda ka bërë takime me prokurorin Mara që po hetonte dosje të Armand Fangut.
Ai u shpreh se Shima dinte gjithçka për aktivitetet e tyre: “Shima ishte një person në qendër të ciklonit. Ishte personi që dinte çdo gjë për Fangun, për Meçen, por dinte gjithçka tjetër edhe për dy zonjat aty, njëra është famozja Mirlinda, kurse tjetra është fiks motra e Ergys Agasit, e këtij kryemafiozi të Shqipërisë dhe Ballkanit.”
Pjesë nga fjala e Berishës:
Dje pasdite, Shqipëria, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, e tëra u përpi nga lajmi se ish-zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ish-zyrtari i lartë i kërcënuar egërsisht nga Edi Rama sipas ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmertaj, për shkak të tenderëve familjare, personi, i cili u shkarkua si zëvendësdrejtor i përgjithshëm me datën 19 mars të vitit 2024, pasi famozja Mirlinda Karçanaj kaloi një sesion shumë të zgjatur pyetjesh në SPAK.
Dhe po atë ditë, pas atij sesioni, sikur të merrte urdhër nga SPAK, ajo e shkarkoi në vend pa dhënë asnjë motiv.
Ky është Shima, i cili është në një vorbull ndërthurjesh, interesash ndër më mafioze.
Ju e dini se AKSHI është quajtur sipërmarrja private e Edi Ramës.
Ju, shqiptarët e dinë, se regjistrime ambientale, çka do të thotë regjistrime në tavoline, të një bisede të Gerond Meçes, njeriut që ka fituar 46 milionë euro tendera, me të famshmen kompani ABS, tendera sekrete, tendera pa garë, dhe janë vërtetuar 800 transaksione nga Thesari i Shtetit, në një bisedë me një person tjetër në një mjedis, personi tjetër i kërkon Gerond Meçes mbështetje për ët fituar tendera në AKSH, ku aty përflitet se tenderat i përcakton baxhanaku i Edi Ramës, kunati i Linda Ramës, Armand Fangu, madje thuhet se vetë Linda ka bërë takime me prokurorin Mara që po hetonte dosje të Armand Fangut.
Pra, Shima ishte një person në qendër të ciklonit.
Ishte personi që dinte çdo gjë për Fangun, për Meçen, por dinte gjithçka tjetër edhe për dy zonjat aty, njëra është famozja Mirlinda, kurse tjetra është fiks motra e Ergys Agasit, e këtij kryemafiozi të Shqipërisë dhe Ballkanit.
Ajo është drejtoresha juridike e AKSHI-t.