Vendosni fjalën kyçe....

Trump përjashton dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë


 

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje.

Në një intervistë për Fox News, Trump la të kuptohet se mund të ofrohet mbështetje ajrore për Kievin dhe paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin do të përballej me një “situatë të vështirë” nëse nuk bashkëpunon në procesin e paqes, përcjell BBC.

Deklaratat e tij vijnë pas takimit të së hënës në Shtëpinë e Bardhë, ku ai u ul në një tryezë bisedimesh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderë evropianë.

Zelensky e përshkroi takimin si “të rëndësishëm” dhe theksoi se Ukraina tashmë po punon për garanci sigurie “konkrete”.

Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron po kryesojnë një takim të “koalicionit të vullnetit” mbi mbështetjen për Kievin.

Zvicra, nga ana tjetër, ka shprehur gatishmërinë për të pritur një takim mes Zelenskyt dhe Putinit, pas idesë së ngritur nga Trump gjatë një bisede telefonike me presidentin rus.