
Një studim i ri ka ngritur shqetësime serioze mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në mjekësi, duke treguar se modelet gjuhësore dështojnë të japin një diagnozë të saktë fillestare në më shumë se 80% të rasteve, sipas Euronews.
Studimi, i realizuar nga studiues të organizatës Mass General Brigham dhe i publikuar në revistën shkencore JAMA Network Open, analizoi performancën e 21 modeleve të inteligjencës artificiale, përfshirë sisteme si GPT, Gemini dhe Claude.
Sipas studiuesve, këto modele treguan rezultate të mira në përcaktimin e diagnozës përfundimtare kur kishin informacion të plotë, por dështuan në mënyrë të konsiderueshme në fazën fillestare të analizës, e njohur si “diagnoza diferenciale” – një hap kyç në procesin mjekësor.
“Pavarësisht përmirësimeve të vazhdueshme, modelet gjuhësore nuk janë ende gati për përdorim klinik pa mbikëqyrje”, tha bashkautor i studimit, duke theksuar se inteligjenca artificiale ende nuk arrin të përballojë pasiguritë dhe kompleksitetin e rasteve reale.
Studimi përdori një mjet të ri vlerësimi për të testuar aftësinë e modeleve në disa faza të vendimmarrjes klinike, duke përfshirë diagnozën fillestare, kërkimin e analizave, përcaktimin e diagnozës përfundimtare dhe planifikimin e trajtimit.
Rezultatet treguan se, megjithëse disa modele arritën deri në mbi 90% saktësi në diagnozën finale, ato hasin vështirësi serioze në interpretimin e simptomave në fazat e hershme dhe në ndërtimin e një liste të mundshme diagnozash.
Ekspertët theksojnë se këto gjetje nënvizojnë nevojën për praninë e vazhdueshme të mjekëve në përdorimin e teknologjive të tilla.
“Inteligjenca artificiale mbetet një mjet premtues, por gjykimi klinik njerëzor është i pazëvendësueshëm”, u shpreh një nga ekspertët e përfshirë në analizë.
Studiuesit rekomandojnë që publiku të tregojë kujdes në përdorimin e këtyre teknologjive për çështje shëndetësore dhe të konsultohet gjithmonë me profesionistë të fushës.