
Aktori i mirënjohur britanik, Terence Stamp, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Stamp, i cili u bë i famshëm për interpretimin e tij si General Zod në filmat Superman dhe Superman II, ndërtoi një karrierë kinematografike që zgjati më shumë se gjashtë dekada, përcjell BBC.
Familja e tij konfirmoi lajmin për agjencinë Reuters, duke thënë se ai “lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme si aktor dhe si shkrimtar, që do të vazhdojë të prekë njerëzit edhe për shumë vite.”
Stamp lindi më 22 korrik 1938 në Stepney, në lindje të Londrës, nga një familje punëtore. Pas shkollës së mesme, fillimisht punoi në fushën e reklamave, por falë një burse hyri në shkollën e dramës. Debutimi i tij në kinematografi erdhi me filmin Billy Budd (1962), për të cilin u nominua për Oscar si aktori më i mirë në rol dytësor dhe fitoi një Golden Globe për aktorin e ri më premtues.
Përveç rolit ikonik si Zod, Stamp spikati në filma si Far From the Madding Crowd (1967), The Adventures of Priscilla, Queen of the Desert (1994) dhe Valkyrie (2008), duke treguar gjithmonë aftësinë e tij për të mishëruar personazhe komplekse e shpesh antagoniste.