
Mbi një mijë e njëqind raste të reja me kancer janë regjistruar në Kosovë gjashtë muaj e parë të këtij viti. Kanceri më i përhapur mbetet ai i gjirit me 235 raste të reja, shumica e të cilave te gratë mbi moshën pesëdhjetë vjeç.
Drejtori i Qendrës Spitalore të Kosovës Ilir Kurtishi, ka pohuar se bëhet fjalë për shumë raste që po trajtohen sipas kapaciteteve në vend, shkruan Koha.
“Këtë vit, në Klinikën e Onkologjisë janë paraqitur rreth një mijë e njëqind raste të reja, numër i njëjtë me atë të gjashtëmujorit të parë të vitit 2024. Kanceri më i shpeshtë në Kosovë është ai i gjirit. Ndërsa, sipas sistemeve, si vitin e kaluar, edhe këtë vit dominojnë tumoret e tubit digjestiv, duke përfshirë tumoret e zorrës së trashë, zorrës së hollë, mëlçisë, pankreasit, lukthit dhe ezofagut. Rreth 235 raste të reja me kancer të gjirit janë regjistruar dhe shumica kanë qenë gra mbi moshën pesëdhjetë vjeç. Në një ditë pune, në Klinikën e Onkologjisë kryhen 250–300 vizita në shërbimin e kimioterapisë dhe 120–140 trajtime në radioterapi”, ka deklaruar Kurtishi.
Për sa i përket barnave esenciale, Kurtishi tha se klinika është e furnizuar në 80% me to. Ai shtoi se pesë barna mungojnë për shkak të pengesave ligjore dhe procedurave të prokurimit, por barnat kryesore janë të disponueshme. Pacientët duhet të sigurojnë vetë barnat që mungojnë në klinikë.
“Klinika është e furnizuar vazhdimisht nga barnatorja qendrore. Sipas të dhënave më të fundit, mbi 80 për qind e barnave esenciale janë të pranishme. Disa barna që nuk kanë autorizim marketingu janë siguruar vitin e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa këtë vit jemi në pritje për shkak të procedurave ligjore dhe vonesave në lidhjen e kontratave. Aktualisht mungojnë tre deri në pesë barna, por shumica e barnave kryesore – si imunoterapia, target-terapia, terapitë biologjike dhe ato për tumoret e gjirit e të lëkurës – janë të disponueshme. Ato barna që mungojnë, pacientët duhet t’i sigurojnë vetë”, theksoi Kurtishi.